Humbjet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike kanë vijuar trendin rënës edhe gjatë 6-mujorit të parë të vitit. Sipas të dhënave të publikuara nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, niveli i humbjeve zbriti në 15.91%, nga 17% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një përmirësim prej 1.1%.
Të dhënat tregojnë se bëhet fjalë për nivelin më të ulët të humbjeve të raportuar ndër vite për periudhën janar-qershor. Në vitin 2024 humbjet rezultonin 17.97%, ndërsa një vit më vonë ato zbritën në 17%, për të arritur në 15.91% në gjysmën e parë të këtij viti.
Reduktimi i humbjeve lidhet zakonisht me investimet në rrjetin e shpërndarjes, modernizimin e infrastrukturës, si dhe me masat për evidentimin e lidhjeve të paligjshme dhe ndërhyrjeve të paautorizuara në sistem. Sipas OSSH, rezultati i arritur vjen nga puna e vazhdueshme në rrjet, kontrollet në terren dhe masat e ndërmarra për uljen e humbjeve.
Treguesi i humbjeve mbetet një nga parametrat kryesorë të performancës së operatorit të shpërndarjes, pasi ndikon drejtpërdrejt në kostot e sistemit dhe në eficiencën e furnizimit me energji elektrike. Humbjet teknike lidhen kryesisht me karakteristikat fizike të rrjetit dhe transmetimit të energjisë, ndërsa humbjet joteknike përfshijnë vjedhjet e energjisë dhe problematikat që lidhen me matjen dhe faturimin./Scantv

