Pas shkeljeve të konstatuara në Spitalin Rajonal të Durrësit, si edhe më herët në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit dhe në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, një tjetër institucion shëndetësor publik është gjetur me shkelje në procedurat e prokurimit.
Agjencia e Prokurimit Publik (APP), në përfundim të monitorimit të një kontrate të zhvilluar nga Qendra Spitalore Rajonale Berat, ka konstatuar se autoriteti kontraktor nuk ka kryer verifikimet e nevojshme për të garantuar që mallrat e furnizuara përmbushnin kërkesat e kontratës dhe specifikimet teknike të tenderit. Po ashtu, sipas vendimit, nuk është provuar se është verifikuar deklarata e operatorit ekonomik lidhur me prodhuesin e mallit, mbi bazën e së cilës kompania ishte shpallur fituese e procedurës së prokurimit.
Sipas APP-së, këto mangësi bien në kundërshtim me kërkesat e ligjit “Për Prokurimin Publik” dhe cenojnë detyrimin e autoritetit kontraktor për të garantuar zbatimin korrekt të kontratës.
Për shkeljet e konstatuara, Agjencia e Prokurimit Publik ka vendosur të propozojë masa disiplinore ndaj tre personave përgjegjës në Qendrën Spitalore Rajonale Berat.
Ky është rasti i radhës që evidenton problematika në menaxhimin e procedurave të prokurimit në institucionet spitalore publike. Vetëm gjatë javëve të fundit, APP ka konstatuar shkelje edhe në Spitalin Rajonal të Durrësit, ndërsa më herët masa të ngjashme janë marrë edhe për Spitalin Psikiatrik të Elbasanit dhe Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, duke ngritur pikëpyetje mbi funksionimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe zbatimin e kontratave në sektorin publik të shëndetësisë. /ekofin.al


