Fatura aktuale dhe potenciale e shtetit shqiptar nga vendimet dhe çështjet në shqyrtim në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut është rritur në 20.12 milionë euro, rreth 2.1 milionë euro më shumë se një vit më parë.
Sipas Raportit të Mesvitit për zbatimin e buxhetit të shtetit, detyrimet e raportuara nga Ministria e Financave arrijnë në 20,124,927 euro në vitin 2026, nga 18,022,150 euro në raportimin e vitit 2025. Rritja është 11.7% dhe vjen pothuajse tërësisht nga shtimi i një detyrimi potencial prej 2.1 milionë eurosh për çështjen “Ramaj kundër Shqipërisë”.
Shuma për çështjen “Ramaj”, prej 2,095,122 eurosh, nuk është ende detyrim i formës së prerë dhe nuk përfaqëson një pagesë të menjëhershme nga buxheti. Çështja është ende në pritje të vendimit të Strasburgut, ndërsa vlera është përfshirë nga institucionet shqiptare si detyrim kontigjent, pra si ekspozim financiar që mund të materializohet nëse vendimi krijon përgjegjësi për shtetin.
Përfshirja e kësaj shume e ka rritur ndjeshëm faturën potenciale të Shqipërisë. Detyrimet kontigjente ishin vetëm 13,700 euro në raportimin e vitit 2025, ndërsa në vitin 2026 arrijnë në mbi 2.09 milionë euro, rreth 153 herë më shumë.
“Sharxhi” dhe “Rista” mbajnë 99% të detyrimeve të formës së prerë
Pavarësisht rritjes së ekspozimit total, pjesa më e madhe e faturës vazhdon të lidhet me dy vendime të mëdha, të cilat prej vitesh rëndojnë mbi detyrimet e shtetit nga Strasburgu.
Detyrimi më i madh është ai për çështjen “Sharxhi kundër Shqipërisë”, me një vlerë prej 13,447,300 eurosh. Vetëm kjo çështje përfaqëson 74.6% të të gjitha detyrimeve të formës së prerë dhe rreth dy të tretat e faturës totale, duke përfshirë edhe ekspozimin potencial.
Çështja e dytë më e madhe është “Rista dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, me një detyrim prej 4,417,750 eurosh. Ajo përbën 24.5% të stokut të vendimeve të formës së prerë.
Të marra së bashku, çështjet “Sharxhi” dhe “Rista” arrijnë në 17,865,050 euro dhe përfaqësojnë më shumë se 99% të detyrimeve të formës së prerë të raportuara nga Ministria e Financave.
Nëse këtyre u shtohet edhe ekspozimi potencial prej 2,095,122 eurosh nga çështja “Ramaj”, vetëm tri çështje përqendrojnë 19,960,172 euro, ose 99.2% të të gjithë faturës aktuale dhe potenciale të Shqipërisë në Strasburg.
Të gjitha vendimet e tjera të formës së prerë të përfshira në raport kanë një vlerë të kombinuar prej vetëm 164,755 eurosh. Mes tyre janë detyrimi prej 60 mijë eurosh për çështjen “Zela kundër Shqipërisë”, 32,400 euro për “Metalla kundër Shqipërisë” dhe 28,855 euro për “Lepuri dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.
Detyrimet e formës së prerë nuk po ulen
Detyrimet që burojnë nga vendime të formës së prerë arritën në 18,029,805 euro në raportin e vitit 2026, nga 18,008,450 euro në vitin 2025. Brenda një viti, ky stok është rritur me 21,355 euro ose me rreth 0.1%.
Ndryshimi është i vogël në raport me totalin, por tregon se pagesat e kryera gjatë periudhës nuk kanë arritur të ulin faturën e akumuluar. Vendime të reja janë shtuar në pasqyrën e detyrimeve, ndërkohë që dy çështjet më të mëdha vazhdojnë të mbeten të papaguara në fund të periudhës së raportimit.
Gjatë periudhës janar–maj 2026, Ministria e Financave ka ekzekutuar dy vendime të GJEDNJ-së me vlerë të përgjithshme 10,200 euro. Këshilli i Ministrave ka miratuar gjithashtu një pagesë prej 11,200 eurosh për çështjen “Kroi dhe Nocka kundër Shqipërisë”, e përballuar nga Fondi Rezervë i buxhetit të shtetit.
Një vit më parë, gjatë periudhës janar–maj 2025, Ministria kishte ekzekutuar gjashtë vendime me një vlerë të kombinuar prej 22,004.5 eurosh. Megjithatë, në të dyja vitet pagesat janë përqendruar te vendime relativisht të vogla dhe nuk kanë ndikuar në mënyrë domethënëse mbi stokun prej rreth 18 milionë eurosh. /ekofin.al


