Shërbimet e restoranteve dhe akomodimit rezultojnë të jenë kategoria që është shtrenjtuar më shumë në Shqipëri gjatë muajit qershor, ndërsa komunikimet vijojnë të regjistrojnë ulje çmimesh. Kjo është panorama që paraqesin të dhënat më të fundit të INSTAT për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), treguesi që përdoret nga Eurostat për krahasimin e inflacionit mes vendeve evropiane. Në tërësi, inflacioni i harmonizuar zbriti në 2.9% në qershor 2026, nga niveli i një viti më parë.
Sipas të dhënave, restorantet dhe shërbimet e akomodimit regjistruan rritjen më të lartë vjetore të çmimeve, duke reflektuar ndikimin e sezonit turistik dhe rritjen e kërkesës për shërbime. Pas tyre renditen grupet e argëtimit, sportit dhe kulturës, si edhe ushqimet dhe pijet joalkoolike, të cilat vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi buxhetet familjare.
Në kahun e kundërt, informacioni dhe komunikimi mbetet grupi me ecurinë më të dobët të çmimeve, duke shënuar ulje në krahasim me një vit më parë, ndërsa disa kategori të lidhura me energjinë dhe mallrat e qëndrueshme kanë kontribuar në frenimin e inflacionit të përgjithshëm.

Megjithëse norma e përgjithshme e inflacionit është nën nivelin 3%, ndikimi mbi familjet mbetet i ndjeshëm, pasi rritja përqendrohet pikërisht te shërbimet dhe mallrat që zënë peshën më të madhe në shpenzimet mujore.
Një element i rëndësishëm është se ushqimet dhe pijet joalkoolike, edhe pse nuk kanë domosdoshmërisht rritjen më të madhe në përqindje, mbeten grupi me ndikimin më të madh në inflacion për shkak të peshës që kanë në shportën e konsumit. Në metodologjinë e IHÇK-së, ky grup përfaqëson rreth 34.5% të konsumit total, shumë më tepër se çdo kategori tjetër. Pas tij renditen restorantet dhe shërbimet e akomodimit, me një peshë prej 14.5%, dhe transporti, me 8.3%.
Rënia e inflacionit të harmonizuar në 2.9% tregon se ritmi i përgjithshëm i rritjes së çmimeve po ngadalësohet. Megjithatë, përbërja e tij tregon se presionet nuk janë zhdukur. Ato janë përqendruar kryesisht te sektori i shërbimeve dhe te produktet bazë të konsumit, çka do të thotë se familjet vazhdojnë të ndiejnë rritjen e kostos së jetesës, edhe pse inflacioni në nivel makroekonomik po zbutet.
IHÇK ndryshon nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK), pasi përdoret për krahasimet me vendet e Bashkimit Evropian. Ndërsa IÇK mat vetëm shpenzimet e familjeve shqiptare, IHÇK përfshin të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të Shqipërisë, përfshirë edhe ato të turistëve dhe familjeve kolektive. Kjo e bën atë treguesin zyrtar që përdoret nga Eurostat për të monitoruar konvergjencën e inflacionit mes vendeve evropiane.

