Mbulimi i fëmijëve me dozën e parë të vaksinës kundër fruthit mbeti në 81% në Shqipëri gjatë vitit 2025, niveli më i ulët i regjistruar në serinë e viteve 2014–2025 dhe 17 pikë përqindjeje më pak se një dekadë më parë.
Vlerësimet e reja të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF-it tregojnë se në vitin 2014 doza e parë e vaksinës që përmban komponentin kundër fruthit mbulonte 98% të fëmijëve. Treguesi ra në 95% në vitin 2019, 91% në vitin 2020, 87% në vitin 2021 dhe 83% në vitin 2023, për të zbritur në 81% në vitet 2024 dhe 2025.
Niveli aktual është 14 pikë përqindjeje poshtë pragut prej 95%, që përdoret si objektiv për të kufizuar boshllëqet e imunitetit dhe rrezikun e përhapjes së fruthit. Edhe projektprogrami i ri i UNICEF-it për Shqipërinë e identifikon mbulimin prej 81% si nën pragun e nevojshëm.
Rënie më e fortë vjetore u regjistrua te doza e dytë. Mbulimi me të zbriti nga 92% në vitin 2024 në 88% në vitin 2025, ose me 4 pikë përqindjeje brenda një viti. Krahasuar me nivelin 98% të vitit 2014, rënia arrin në 10 pikë përqindjeje.
Fruthi shërben edhe si tregues i funksionimit të përgjithshëm të sistemit të vaksinimit, pasi përhapet lehtësisht kur krijohen grupe fëmijësh të pavaksinuar. Ndryshe nga disa vaksina të tjera, ku Shqipëria vijon të raportojë mbulim mbi 95%, doza e parë kundër fruthit ka pësuar një rënie të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Për shembull, mbulimi me dozën e tretë të vaksinës kundër difterisë, tetanozit dhe pertusisit ishte 96% në vitin 2025.
OBSH dhe UNICEF sqarojnë se vlerësimet për vitin 2025 mbështeten kryesisht në të dhënat e raportuara dhe në krahasimin mes raportimit manual dhe regjistrit elektronik të vaksinimit. Megjithatë, për pesë brezat më të fundit të lindjeve nuk ka një anketë kombëtare përfaqësuese të familjeve, ndaj rekomandohet zhvillimi i një ankete me cilësi të lartë për të verifikuar nivelin real të mbulimit.
Kjo rezervë metodologjike nuk e ndryshon prirjen e të dhënave administrative: doza e parë e vaksinës kundër fruthit ka humbur 17 pikë përqindjeje që nga viti 2014, ndërsa doza e dytë ka rënë me 4 pikë vetëm gjatë vitit të fundit./ekofin.al


