Nga menaxhimi i rreziqeve që sjellin ndryshimet klimatike, te zhvillimi i tregut të parasë sipas standardeve ndërkombëtare dhe rritja e aksesit në financim për gratë sipërmarrëse, partneriteti mes dy institucioneve po merr një rol gjithnjë e më strategjik në procesin e afrimit të Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.
Ky ishte një nga mesazhet kryesore të takimit që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi këtë të hënë me delegacionin e BERZH-it, të kryesuar nga Përfaqësuesi i ri Rezident në Shqipëri, Hannes Takacs.
Në takim, Guvernatori Sejko e cilësoi BERZH-in një partner kyç në modernizimin e sistemit financiar shqiptar, duke vënë në dukje se bashkëpunimi nuk kufizohet vetëm te financimi i projekteve, por shtrihet edhe në ndërtimin e kuadrit rregullator që do të përcaktojë zhvillimin e sektorit financiar në vitet e ardhshme.
Një nga projektet më të rëndësishme që po mbështet BERZH është përgatitja e infrastrukturës rregullative për administrimin e rreziqeve financiare që burojnë nga ndryshimet klimatike.
Ky proces konsiderohet një hap i rëndësishëm për sektorin bankar shqiptar, pasi institucionet financiare do të duhet të integrojnë gjithnjë e më shumë faktorët klimatikë në analizën e rrezikut, në kreditim dhe në politikat e investimit, në përputhje me praktikat e ndjekura nga bankat qendrore dhe autoritetet mbikëqyrëse evropiane.
Paralelisht, BERZH po ofron asistencë teknike edhe për zhvillimin e tregut të parasë, një segment kyç për funksionimin më efikas të sistemit financiar dhe forcimin e mekanizmave të transmetimit të politikës monetare.
Në fokus të takimit ishte edhe iniciativa WE Finance Code, e mbështetur nga BERZH, e cila synon të rrisë aksesin në financim për gratë sipërmarrëse.
Përmes kësaj nisme synohet krijimi i një ekosistemi më të favorshëm financiar për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, duke lehtësuar aksesin në kredi dhe produkte financiare për bizneset e drejtuara nga gratë.
Përfaqësuesi i ri Rezident i BERZH-it në Shqipëri, Hannes Takacs, theksoi se institucioni do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në zhvillimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë, me fokus te rritja e konkurrueshmërisë së bizneseve, tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër, përshpejtimi i digjitalizimit dhe mbështetja e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.

