Nëse perceptimi i pasigurisë vazhdon të përkeqësohet, ekonomia shqiptare mund të humbasë mesatarisht 923 milionë euro gjatë pesë viteve të ardhshme. Ky është vlerësimi i analizës më të fundit të ALTAX Observatory, sipas së cilës ndikimi ekonomik i kriminalitetit nuk matet vetëm nga numri i veprave penale, por mbi të gjitha nga mënyra se si qytetarët, turistët dhe investitorët e perceptojnë sigurinë në vend.
Raporti argumenton se Shqipëria nuk ndodhet përballë një krize të treguesve të kriminalitetit krahasuar me rajonin, por rreziku më i madh lidhet me hendekun mes statistikave reale dhe perceptimit publik. Ky hendek, i ushqyer nga ngjarjet kriminale të bujshme, mbulimi mediatik dhe kujtesa kolektive e viteve të tranzicionit, sipas ALTAX, ka potencialin të frenojë konsumin, investimet private, turizmin dhe hyrjen e investimeve të huaja direkte.
Rritja e veprave penale ka përmbysur trendin e viteve të fundit
Analiza vëren se gjatë vitit 2025 në Shqipëri u regjistruan 38,345 vepra penale, ose 17.4% më shumë se një vit më parë. Sipas ALTAX, kjo është rritja më e madhe mbi mesataren historike të dekadës dhe shënon ndërprerjen e trendit pozitiv të viteve 2022–2024, kur numri i veprave penale kishte zbritur në nivelin më të ulët të dhjetë viteve të fundit, me 32,653 raste.
Njëkohësisht, raporti evidenton se krimet ndaj grave dhe fëmijëve janë rritur me 23.1%, çka ka ndikuar ndjeshëm në ndjesinë e pasigurisë së qytetarëve.
Megjithatë, ALTAX thekson se Shqipëria nuk renditet ndër vendet me shkallën më të lartë të kriminalitetit në rajon. Norma e vrasjeve është 1.387 për 100 mijë banorë, sipas të dhënave të UNODC, ndërsa Tirana regjistron një Crime Index prej 39.8, sipas Numbeo për vitin 2026.

Pasiguria ndikon drejtpërdrejt në ekonomi
Sipas raportit, ndikimi ekonomik i pasigurisë shkon shumë përtej kostove të sistemit të drejtësisë apo policisë.
ALTAX mbështetet në një studim të Fondit Monetar Ndërkombëtar (IMF Working Paper 2026/39), i cili arrin në përfundimin se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj kriminalitetit krijon atë që ekonomistët e quajnë “efekti traumatik”, duke ndikuar në sjelljen ekonomike të familjeve dhe bizneseve.
Në praktikë, kjo do të thotë se familjet priren të kufizojnë konsumin kur ndihen më pak të sigurta, bizneset shtyjnë investimet për shkak të rritjes së rrezikut, ndërsa produktiviteti i ekonomisë bie. Ndër sektorët më të ndjeshëm është turizmi, pasi perceptimi negativ për sigurinë ndikon menjëherë në zgjedhjet e turistëve dhe kërkon shumë më tepër kohë për t’u rikuperuar.
Humbjet mund të arrijnë deri në 1.8 miliardë euro
Për të matur ndikimin ekonomik, ALTAX ka ndërtuar tre skenarë të mundshëm.
Në skenarin bazë, ekonomia shqiptare do të humbiste rreth 222 milionë euro gjatë pesë viteve.
Në skenarin mesatar, humbjet arrijnë në 970 milionë euro, ndërsa në rastin më negativ mund të shkojnë deri në 1.8 miliardë euro.
Duke kombinuar probabilitetin e secilit skenar, analiza llogarit një kosto të pritshme prej 923 milionë eurosh për ekonominë shqiptare.
Raporti tregon se rreth 35% e kësaj humbjeje lidhet me uljen e konsumit privat, ndërsa pjesa tjetër shpërndahet mes investimeve private, turizmit, produktivitetit dhe investimeve të huaja direkte.
Shqipëria nuk është vendi më i rrezikshëm në rajon
Analiza evidenton se perceptimi për Shqipërinë është më negativ sesa treguesit objektivë.
Në indeksin krahasues për Ballkanin Perëndimor, Shqipëria renditet pas Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për nivelin e rrezikut, ndërsa rezulton më mirë se Serbia dhe Bosnje-Hercegovina në disa tregues të kriminalitetit.
Sipas raportit, kjo tregon se sfida kryesore nuk është vetëm lufta kundër krimit, por edhe ndërtimi i besimit publik përmes transparencës dhe komunikimit institucional.

Pesë masa për të shmangur humbjet
Për të kufizuar ndikimin ekonomik, ALTAX propozon pesë masa prioritare.
Raporti sugjeron krijimin e një Observatori të Integruar Siguri–Ekonomi, i cili do të bashkërendonte analizën e të dhënave mes institucioneve të sigurisë dhe statistikave ekonomike.
Një tjetër rekomandim është zhvillimi i një fushate kombëtare komunikimi “Fakte mbi Frikën”, me qëllim uljen e hendekut mes statistikave reale dhe perceptimit të qytetarëve.
Ndër masat e tjera përfshihen rritja e normës së zbulimit të krimeve, forcimi i kapaciteteve kundër dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, koordinimi më i ngushtë mes institucioneve të sigurisë dhe sektorit të turizmit, si edhe intensifikimi i bashkëpunimit me strukturat evropiane në kuadër të negociatave për kapitujt 23 dhe 24.
Kostoja e mosveprimit është më e madhe se kostoja e ndërhyrjes
Në përfundim, ALTAX argumenton se çmimi i mosveprimit është shumë më i lartë sesa investimi që kërkohet për zbatimin e masave të propozuara.
Sipas analizës, vendet që reagojnë shpejt ndaj rritjes së kriminalitetit dhe ndërtojnë politika të besueshme për rritjen e sigurisë arrijnë të kufizojnë ndikimin mbi ekonominë. Në të kundërt, vonesat rrezikojnë ta kthejnë perceptimin e pasigurisë në një faktor që frenon rritjen ekonomike, investimet dhe zhvillimin e turizmit për vite me radhë. /ekofin.al


