Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, ka mbrojtur organizimin e koncertit të Kanye West, që do të mbahet më 11 korrik në Tiranë, duke theksuar se ngjarje të tilla nuk duhen parë vetëm si aktivitete artistike, por si investime me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, turizëm dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
Sipas Gonxhjes, Shqipëria po hyn për herë të parë në hartën e vendeve që presin evente muzikore të kësaj përmase, ndërsa suksesi i koncertit do të jetë një provë e rëndësishme për aftësinë organizative të vendit dhe një mundësi për ta pozicionuar Tiranën si destinacion të eventeve ndërkombëtare.
Ministri thekson se përvoja ndërkombëtare tregon se ekonomia e një koncerti nuk matet vetëm me të ardhurat nga shitja e biletave, por me efektin zinxhir që krijon në hoteleri, transport, gastronomi, tregti, argëtim dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.
Për të ilustruar këtë model, Gonxhja sjell disa nga shembujt më të fundit në botë.
Në Los Angeles, dy koncertet e Kanye West në SoFi Stadium gjeneruan rreth 33 milionë dollarë të ardhura direkte nga biletat, ndërsa ndikimi ekonomik total për qytetin u vlerësua në rreth 90 milionë dollarë, falë konsumit në hotele, restorante, transport dhe biznese të tjera lokale.
Në Stamboll, koncerti në Atatürk Olympic Stadium mblodhi rreth 118 mijë spektatorë, duke vendosur rekord pjesëmarrjeje. Eventi gjeneroi rreth 24 milionë euro të ardhura direkte, ndërsa ndikimi ekonomik për ekonominë turke u vlerësua deri në 100 milionë euro. Ministri nënvizon se, edhe pse koncerti rezultoi fitimprurës, qeveria turke e mbështeti organizimin me një financim publik prej 4.5 milionë eurosh, si pjesë e politikës së saj për zhvillimin e turizmit dhe industrisë së eventeve.
Edhe Madridi pritet të përfitojë ndjeshëm nga koncerti i Kanye West, me një ndikim ekonomik të llogaritur deri në 49 milionë euro, krijimin e mbi 3 mijë vendeve të përkohshme të punës dhe pjesëmarrjen e rreth 68 mijë spektatorëve, ku më shumë se 60% pritet të jenë vizitorë ndërkombëtarë.
Duke iu referuar këtyre përvojave, Gonxhja argumenton se edhe Tirana mund të përfitojë nga i njëjti model ekonomik.
Sipas tij, në ndërtimin dhe organizimin e Eagle Stadium në Kashar janë angazhuar rreth 3.500 punonjës përgjatë dy muajve të fundit, ndërsa një ditë përpara koncertit hotelet dhe apartamentet e listuara në platformat online rezultojnë praktikisht të rezervuara. Ai thekson se çdo vizitor që vjen për koncertin konsumon shërbime akomodimi, ushqimi, transporti dhe viziton atraksione turistike, duke krijuar qarkullim të ri ekonomik dhe të ardhura shtesë për bizneset vendase.
Ministri shton se miliona euro pritet t’i rikthehen buxhetit të shtetit dhe pushtetit vendor përmes taksave direkte, ndërsa financimi publik për evente të tilla duhet parë si investim ekonomik dhe jo si shpenzim.
Në reagimin e tij, Gonxhja kundërshton edhe pretendimet për kostot e organizimit, duke sqaruar se ndërtimi i strukturës provizore Eagle Stadium kushton rreth 2.2 milionë euro dhe jo 50 apo 60 milionë euro, siç është pretenduar në debatet publike.
Ai sqaron gjithashtu se fondi i akorduar nga qeveria është financuar përmes programit buxhetor të turizmit, nga Fondi Rezervë, dhe nuk ka lidhje me fondet e dedikuara për artin, kulturën apo sportin.
Sipas ministrit, anulimi i koncertit në këtë fazë do të sillte rreth 11 milionë euro shpenzime të pakthyeshme, humbje të konsiderueshme nga rezervimet, pagesat e kryera dhe fitimi i munguar për bizneset, por mbi të gjitha do të dëmtonte besueshmërinë ndërkombëtare të Shqipërisë si organizatore e eventeve të mëdha.
Në përfundim, Gonxhja apelon që diskutimi për këtë koncert të mos reduktohet në debat politik, pasi artistët dhe eventet kalojnë, ndërsa ndikimi në ekonomi, turizëm dhe markën e vendit mbetet për shumë vite. Sipas tij, nëse Tirana organizon me sukses këtë koncert, përfitimi më i madh do të jetë pozicionimi i Shqipërisë në hartën evropiane të eventeve ndërkombëtare dhe rritja e besimit se vendi është i aftë të presë aktivitete të përmasave globale.

