Dy vera më parë, unë dhe shoqet e mia nuk patëm nevojë të debatoheshim se ku do ta kalonim pushimin tonë. Kishte një fitues të qartë. Të joshura nga ujërat e kaltër si kristali, çmimet më të ulëta se mesatarja dhe videot në rrjetet sociale që e quanin Shqipërinë “Maldivet e Evropës”, vendosëm të vinim këtu.
Por, në vend që të gjenim një parajsë të paprekur mesdhetare, të denjë për krahasim me arkipelagun e Oqeanit Indian, u përballëm me kilometra të tëra baresh plazhi pothuajse identike, shëtitore të ndriçuara me drita neoni dhe gjire të mbushura aq shumë me shezlongë, sa mezi dallohej bregu me guralecë.
Sot, përgatitja e bregdetit shqiptar për turizëm masiv është intensifikuar edhe më tej. Numri i vizitorëve vazhdon të rritet me ritme të shpejta. Markat ndërkombëtare të hoteleve po nisin projekte të reja ndërtimi dhe këtë verë pritet të vihet në funksion Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, duke krijuar një portë të re hyrëse për në Rivierën Shqiptare.
Zhvillimi më i debatueshëm turistik janë pa dyshim dy resortet luksoze të planifikuara, të mbështetura nga Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, të cilat kanë nxitur protesta masive në Shqipëri.
A është kjo kambana e alarmit që i nevojitej Shqipërisë për ta vënë turizmin nën kontroll përpara se të jetë tepër vonë?
Fytyra në ndryshim e turizmit shqiptar
Saranda, qyteti kryesor turistik bregdetar i Shqipërisë, dukej krejt ndryshe jo shumë kohë më parë.
“Ishte një port i qetë, ku ndërtesa më e lartë ishte hoteli shtatëkatësh Butrinti,” thotë Gillian Gloyer, autore e udhërrëfyesit Bradt për Shqipërinë, e cila jetoi për një periudhë në vend duke filluar nga viti 1998. “Në atë kohë nuk kishte pothuajse fare turizëm dhe vetëm pak plazhe kishin infrastrukturë turistike.”
Shqipëria kishte qenë për dekada e izoluar nga regjimi komunist deri në fillim të viteve 1990 dhe vetëm shumë vite më vonë hyri në hartën e destinacioneve turistike ndërkombëtare, kur Lonely Planet e shpalli destinacionin numër një për t’u vizituar në vitin 2011.
Por ndryshimi i madh ndodhi pas pandemisë, kur kompanitë ajrore me kosto të ulët hapën baza në Aeroportin e Tiranës dhe videot në TikTok me plazhet e jugut u bënë virale. Numri i vizitorëve u rrit me 89 për qind në vitin 2025 krahasuar me vitin 2019, duke e bërë Shqipërinë destinacionin turistik me rritjen më të shpejtë në Evropë.
Para këtij bumi ishin miratuar politika për turizëm të qëndrueshëm. Programi “100 Fshatrat” u dha grante banorëve për të shndërruar shtëpitë e tyre në bujtina, në mënyrë që turistët vendas dhe të huaj të përjetonin jetën tradicionale shqiptare. Megjithatë, më pas fokusi u zhvendos drejt ndërtimit të hoteleve përgjatë vijës bregdetare. Kryeministri Edi Rama mbështeti zhvillimet në shkallë të gjerë dhe shpalli objektivin për të arritur 30 milionë turistë në vit deri në vitin 2030, nga rreth 12.5 milionë që ishin vitin e kaluar.
“Shumë plazhe të Rivierës, përfshirë edhe disa brenda zonave të mbrojtura si Parku Kombëtar i Butrintit, tashmë janë mbindërtuar,” thotë Gloyer. “Po shkatërrohet bukuria natyrore që tërhoqi vizitorët e huaj në radhë të parë.”
Resortet luksoze të Kushnerit
Projekti prej 1.4 miliardë eurosh i Ivanka Trump dhe Jared Kushner parashikon ndërtimin e dy resorteve luksoze me rreth 10 mijë dhoma hoteli në bregdetin Adriatik të Shqipërisë. Njëri është planifikuar në ishullin e Sazanit, një ishull i mbuluar me pyje pishe, që gjatë periudhës komuniste shërbeu si bazë ushtarako-detare dhe ku ende gjenden bunkerë bërthamorë dhe tunele sekrete.
“Është një vend me histori të jashtëzakonshme, që sot mund të vizitohet nga kushdo me vetëm disa euro për biletën e anijes,” thotë Gloyer. “Nëse miratohet projekti për ta kthyer në resort luksoz, ai do të bëhet i paarritshëm për shumicën e njerëzve.”
Megjithatë, shqetësimi kryesor lidhet me biodiversitetin e zonës. Resorti i dytë është planifikuar përgjatë një pjese të bregdetit përballë Sazanit, pranë Rezervatit Natyror Vjosë–Nartë, një destinacion i njohur për vëzhgimin e shpendëve.
“Është një nga zonat ekologjikisht më të rëndësishme të Shqipërisë,” thotë Aleksandër Trajçe, drejtor ekzekutiv i Shoqatës për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). “Shumë specie do të preken drejtpërdrejt nga këto zhvillime, por ndër më të rrezikuarat janë mbi 200 lloje shpendësh që varen nga laguna.”
Mes tyre janë edhe flamingot. Protestat kundër projektit janë quajtur “Revolucioni i Flamingove”, megjithëse ndërtimet kërcënojnë habitatet edhe të shumë specieve të tjera të rrezikuara, si foka mesdhetare murg dhe pelikani kaçurrel.
Vetë Sazani rrethohet nga Parku Kombëtar Detar, i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, dhe shërben si vend folezimi për breshkën detare kokëmadhe, një specie me rëndësi globale për ruajtjen e biodiversitetit.
“Pasojat e përgjithshme të këtij zhvillimi mund të jenë katastrofike,” thotë Trajçe.
Zhvillim i pasurive të paluajtshme i maskuar si turizëm
Jo të gjithë banorët janë kundër resortit. Një pronar biznesi në Vlorë është aq i kënaqur me fluksin e pritshëm të turistëve, sa restorantin e tij të peshkut e ka quajtur “Ivanka”.
Një tjetër restaurator, Arsen Llambro, pronar i Taverna e Miqësisë, pranë lagunës së Vjosë–Nartës, është më i rezervuar, por gjithsesi mendon se projekti mund t’i sjellë përfitime zonës nëse realizohet si duhet.
“Mendoj se hotelet e reja mund të sjellin më shumë vizitorë, investime dhe mundësi ekonomike. Nuk duhet të mbështetemi kryesisht te fuqia punëtore e importuar, por nëse zhvillimi sjell përfitime për komunitetin, unë jam pro.”
Megjithatë, protestuesit shohin vetëm arsye për shqetësim.
Qeveria ndryshoi në vitin 2024 Ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke lejuar atë që e quajti “zhvillim elitar turistik” edhe në zona me rëndësi mjedisore. Projekti i Kushnerit është vetëm një nga disa zhvillime që po shtrihen në këto hapësira.
Ndërtimet kanë nisur tashmë për një megaresort në ligatinat e Bunë–Velipojës në veri, ndërsa janë hartuar plane për qindra vila turistike brenda Parkut Kombëtar Divjakë–Karavasta.
“Po përballemi me një hapje të paprecedentë të zonave të mbrojtura ndaj ndërtimeve në shkallë të gjerë. Në të vërtetë, shpesh nuk bëhet fjalë për turizëm, por për zhvillim masiv të pasurive të paluajtshme, i maskuar si turizëm,” thotë Trajçe.
Turizmi është bërë një temë përçarëse në shumë destinacione evropiane. Por, ndryshe nga Barcelona, ku banorët po përjashtohen nga tregu i banesave, apo Venecia, që përballet me mbipopullim turistik, industria turistike shqiptare është bërë objekt polemikash ende pa arritur kulmin e saj.
Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania, thotë se rrethimet e kantierit, kampet e punës dhe rrugët e aksesit për projektet Trump–Kushner nisën përpara se të përfundonte procesi i vlerësimit mjedisor.
“Vëzhgimet në terren tregojnë se këto ndërhyrje paraprake mund të kenë prekur tashmë habitatet e ndjeshme. Makineritë e rënda që operojnë në plazhet e Dajlanit dhe Portonovës besohet se kanë dëmtuar vendet e folezimit të breshkës detare kokëmadhe,” thotë ai.
Megjithatë, kundërshtarët e projekteve në Vjosë–Nartë dhe Sazan nuk janë domosdoshmërisht kundër turizmit.
“Shqipëria ende ka një mundësi të rrallë për të shmangur gabimet që janë bërë në pjesë të tjera të Mesdheut,” thotë Nika.
“Nga këndvështrimi ynë, rreziku më i madh nuk është vetë turizmi, por humbja e ekosistemeve që përbëjnë avantazhin më të madh krahasues të vendit. Turizmi i qëndrueshëm mbështetet mbi ekosisteme të shëndetshme, jo anasjelltas.”
Pas disa vitesh, për shumë njerëz, suksesi turistik i Shqipërisë nuk do të matet me numrin e vizitorëve apo me marrëveshjet miliardëshe të investimeve. Ai do të matet me numrin e flamingove që do të vazhdojnë të ecin në ujërat e saj./Përshtati nga The Telegraph, ekofin.al





