Kompanitë që konkurrojnë për tenderat publikë, kërkojnë licenca ose përfitojnë subvencione shtetërore do t’u nënshtrohen kontrolleve të reja të integritetit, me synimin për të parandaluar depërtimin e krimit të organizuar në ekonominë e ligjshme dhe në administratën publike.
Masa parashikohet në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2026–2030, e cila synon që shteti të mos mbështetet vetëm te hetimet penale pasi një aktivitet kriminal është kryer, por të përdorë edhe instrumente administrative për t’i penguar subjektet me rrezik të marrin kontrata, licenca apo financime publike.
Kontrollet do të bazohen te të dhënat tatimore, historiku i licencimit, rezultatet e inspektimeve, informacioni mbi pronarët përfitues dhe sinjalizimet e institucioneve ligjzbatuese. Operatorët e vlerësuar me rrezik të lartë do të mund të sinjalizohen, t’i nënshtrohen një shqyrtimi të mëtejshëm ose të përjashtohen nga procedurat, në përputhje me legjislacionin.
Strategjia parashikon që deri në vitin 2030 rastet e identifikuara të infiltrimit të krimit të organizuar në prokurimet publike dhe sektorët e licencuar të ulen me 9%. Megjithatë, niveli aktual i infiltrimit dhe norma e kontrolleve nuk janë përcaktuar ende. Vlera bazë, mbi të cilën do të matet ulja, pritet të vendoset gjatë vitit 2026.
Nga ndjekja penale te bllokimi administrativ
Dokumenti e përkufizon “qasjen administrative” si përdorimin e instrumenteve ligjore, tatimore, fiskale, mjedisore, të inspektimit dhe licencimit për të parandaluar ose kufizuar aktivitetin e strukturave kriminale.
Kjo qasje nuk zëvendëson hetimin penal, por synon të ndërhyjë më herët, përpara se subjektet e lidhura me krimin të fitojnë akses në tregje, para publike apo vendimmarrje administrative.
Ndër masat që mund të përdoren përmenden revokimi i licencave, përjashtimi nga tenderat dhe inspektimet e bazuara në nivelin e rrezikut. Sipas strategjisë, përdorimi i këtyre instrumenteve mund të shmangë një pjesë të kostove dhe vonesave që shoqërojnë procedimet e gjata gjyqësore.
Dokumenti pranon se krimi i organizuar në Shqipëri ka një dimension të theksuar ekonomik dhe mund të veprojë përmes infiltrimit në sektorë publikë dhe privatë. Për këtë arsye, synohet që kontrollet të mos përqendrohen vetëm te personat e dënuar, por edhe te struktura e pronësisë, aktiviteti financiar dhe historiku administrativ i operatorëve ekonomikë.
Një rrjet i ri mes Policisë, Tatimeve, Doganave dhe bashkive
Për zbatimin e sistemit do të ngrihet një rrjet ndërinstitucional, ku do të përfshihen agjencitë me kompetenca në inspektim, licencim dhe kontrollin e aktivitetit ekonomik.
Rrjeti do të formalizohet përmes memorandumeve të bashkëpunimit, ku do të përcaktohen përgjegjësitë e secilit institucion, rregullat e shkëmbimit të të dhënave dhe procedurat për sinjalizimin e rasteve me rrezik.
Parashikohet gjithashtu ngritja e një platforme të sigurt për shkëmbimin në kohë reale të informacioneve administrative, sinjalizimeve dhe treguesve të rrezikut.
Ministria e Punëve të Brendshme është institucioni përgjegjës për objektivin. Në zbatim do të përfshihen Agjencia e Inteligjencës Financiare, Tatimet, Doganat, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, Ministria e Financave dhe bashkitë.
Përfshirja e njësive vendore lidhet me faktin se bashkitë japin leje, ushtrojnë kontrolle dhe marrin vendime administrative në sektorë që mund të ekspozohen ndaj infiltrimit kriminal.
Do të kontrollohen skualifikimet dhe licencat me rrezik
Performanca e sistemit do të matet përmes numrit të kontrolleve të zhvilluara në procedurat e prokurimit publik kundrejt listave të subjekteve të krimit të organizuar.
Institucionet duhet të raportojnë gjithashtu numrin e licencave me rrezik të lartë që janë verifikuar, si dhe numrin e skualifikimeve dhe masave korrigjuese të ndërmarra ndaj subjekteve të konsideruara të infiltruara.
Dy rezultatet kryesore të parashikuara janë zbatimi i verifikimeve në të gjitha vendimet përkatëse të prokurimit dhe licencimit dhe reduktimi i dokumentuar i infiltrimit në kontratat publike dhe në licencat me rrezik të lartë.
Megjithatë, strategjia nuk jep një shifër për rastet e infiltrimit të identifikuara deri tani. Për rrjedhojë, synimi për uljen me 9% nuk mund të përkthehet ende në një numër konkret kompanish, kontratash ose licencash. /ekofin.al

