Qeveria ka ndryshuar sërish buxhetin e shtetit për të financuar pjesërisht koncertin e artistit amerikan Kanye West, që do të mbahet më 11 korrik në Tiranë.
Nëpërmjet aktit normativ të miratuar më 6 korrik 2026, vetëm pesë ditë përpara koncertit, Këshilli i Ministrave ka vendosur t’u japë organizatorëve të eventit 400 milionë lekë, ose rreth 4.3 milionë euro.
Paratë do të merren nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe do t’i shtohen Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit në programin “Zhvillimi i turizmit”, në zërin buxhetor “Transferta të brendshme”.
Ministria autorizohet të nënshkruajë marrëveshjen përkatëse me kompaninë organizatore dhe të disbursojë fondin. Në aktin normativ aktiviteti cilësohet si një event “kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”, që pritet të ndikojë në promovimin e turizmit dhe të imazhit të Shqipërisë.
Aktulisht nuk jepen të dhëna për koston e përgjithshme të organizimit të koncertit, vlerën që do të mbulojnë kompanitë private, numrin e biletave të shitura apo të ardhurat që pritet të gjenerohen.
Nuk përcaktohen gjithashtu shpenzimet konkrete që do të financohen me 400 milionë lekët e buxhetit, si pagesa e artistit, siguria, transporti, infrastruktura, promovimi apo shërbime të tjera të lidhura me organizimin.
Stadium i përkohshëm për rreth 60 mijë spektatorë
Për realizimin e koncertit, në zonën e Kasharit, përgjatë aksit Tiranë–Durrës, po ngrihet një strukturë e përkohshme e quajtur “Eagle Stadium”, e projektuar posaçërisht për koncertin me kapacitet për rreth 60 mijë spektatorë.
Eventi i 11 korrikut prezantohet nga qeveria si një mundësi për të vendosur Shqipërinë në hartën e koncerteve të mëdha ndërkombëtare. /ekofin.al

