Divizioni i Bankave Ndërkombëtare prezanton një rrjet të ri këshilltarësh, të frymëzuar nga modeli Fideuram: këshilltarët e parë janë tashmë operacionalë në Sllovaki dhe Hungari, me synimin për të arritur rreth 1,200 profesionistë në vendet ku vepron Divizioni deri në fund të Planit të Biznesit.
Intesa Sanpaolo po hyn në një fazë të re të zhvillimit ndërkombëtar në fushën e Menaxhimi dhe Mbrojtja e Pasurisë, me prezantimin e një modeli të veçantë këshillimi brenda Divizionit të Bankave Ndërkombëtare, të frymëzuar nga praktikat më të mira të Fideuram. Siç u njoftua edhe në kuadër të fushatës për pozicionimin e ri të markës, “Mbështetu te këshilla e duhur”, banka po sjell një qasje të re dhe të avancuar të këshillimit financiar në Evropën Qendrore dhe Lindore, si edhe në Egjipt. Ky model mbështetet në këshillim të personalizuar, ndërtimin e marrëdhënieve afatgjata me klientët dhe fleksibilitet më të madh operacional. Ky zhvillim përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në zbatimin e Planit të Biznesit 2026–2029, të prezantuar nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv (CEO) i Intesa Sanpaolo, Carlo Messina.
Modeli i ri është vënë në zbatim fillimisht përmes një rrjeti të Këshilltarëve Financiarë, tashmë funksional në Sllovaki dhe Hungari dhe do të zgjerohet gradualisht edhe në vende të tjera, përfshirë Kroacinë, Serbinë, Slloveninë, Rumaninë, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Moldavinë, Ukrainën, Republikën Çeke dhe Egjiptin. Objektivi është që deri në fund të Planit të Biznesit të krijohet një rrjet prej rreth 1,200 Këshilltarësh Financiarë dhe 2,500 Menaxherësh të Marrëdhënieve me Klientët (Relationship Managers), të cilët do t’u ofrojnë shërbime deri në 1 milion klientëve të segmentit “affluent” (klientë me potencial të lartë financiar).
Nisma mbështetet në përvojën dhe ekspertizën e zhvilluar nga Fideuram, kompania që ka themeluar modelin modern të këshillimit financiar në Itali dhe që prej më shumë se 50 vitesh shërben si një pikë referimi në Menaxhimin e Pasurisë dhe Shërbimeve Bankare Private. Ajo do të bazohet në platforma teknologjike të avancuara, si BlackRock Aladdin Wealth, si edhe në modele të sofistikuara të analizës së riskut, me qëllim mbështetjen efektive të klientëve në kushte të ndryshme të tregut.
Këshilltarët Financiarë do të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime edhe më pranë nevojave të klientëve, falë fleksibilitetit më të madh për sa i përket vendndodhjes dhe orarit të punës. Ky model ndërthur njohuritë dhe ekspertizën e bankave lokale me fuqinë dhe përvojën e një grupi të madh ndërkombëtar si Intesa Sanpaolo. Gama e shërbimeve do të përfshijë zgjidhje inovative për investime, mbrojtje financiare dhe këshillim, të mbështetura nga ekspertiza e kompanive të specializuara të Grupit, si Eurizon dhe Intesa Sanpaolo Assicurazioni, si edhe nga partneritete strategjike me kompani ndërkombëtare lider në fushën e menaxhimit të aseteve dhe zgjidhjeve të mbrojtjes financiare.
“Prezantimi i rrjetit të Këshilltarëve Financiarë,” – u shpreh Paola Papanicolaou, Drejtuese e Divizionit të Bankave Ndërkombëtare të Intesa Sanpaolo, – “përfaqëson një hap të mëtejshëm në zhvillimin strategjik të bankave tona ndërkombëtare dhe forcon rolin e tyre si një motor i rëndësishëm i rritjes së Grupit përtej Italisë. Ky proces është mbështetur së fundmi edhe nga fushata “Mbështetu te këshilla e duhur”, e cila rikonfirmon pozicionin udhëheqës të Intesa Sanpaolo në fushën e menaxhimit të pasurisë dhe zgjidhjeve të mbrojtjes financiare edhe në tregjet ndërkombëtare, falë bashkëpunimit të ngushtë me Divizionin e Menaxhimit të Pasurisë Financiare, të drejtuara nga Tommaso Corcos.
“Objektivi ynë,” – vijoi Paola Papanicolaou, – “është të rrisim edhe më tej nivelin e shërbimit dhe të personalizimit në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, si edhe në Egjipt, duke u mbështetur në ekspertizën e rrjeteve lokale të shpërndarjes dhe duke i shoqëruar klientët në vendimmarrjen e tyre financiare si një partner i besueshëm, i aftë të ofrojë këshillim të qartë, të përgjegjshëm dhe të përshtatur sipas nevojave individuale, mbi bazën e marrëdhënieve të forta dhe afatgjata.

