Monedha europiane ka vijuar rënien në tregun vendas valutor, duke shënuar një tjetër minimum historik ndaj lekut. Në mbyllje të javës së kaluar, euro u këmbye me 93.88 lekë, ndërsa në kursin zyrtar të publikuar këtë të hënë ka zbritur edhe më tej, duke arritur në 93.85 lekë.
Të dhënat e tregut valutor tregojnë se euro po vazhdon të humbasë terren përballë monedhës shqiptare, duke konfirmuar trendin rënës që ka karakterizuar muajt e fundit. Ndërkohë, në tregun bankar, kursi i blerjes së euros është regjistruar në 93.54 lekë, ndërsa kursi i shitjes në 94.19 lekë.
Rënia e euros po ndodh në një periudhë kur oferta e valutës së huaj në ekonomi mbetet e lartë, e nxitur nga sezoni turistik, hyrjet nga emigracioni, investimet e huaja dhe flukset e tjera valutore. Ky zhvillim ka forcuar më tej pozitat e lekut, duke e çuar monedhën europiane në nivelet më të ulëta të regjistruara ndonjëherë në tregun shqiptar.
Për qytetarët që marrin të ardhura në euro, zhvlerësimi i monedhës europiane përkthehet në më pak lekë nga konvertimi i të ardhurave, ndërsa për importuesit dhe huamarrësit në euro, kursi aktual sjell një lehtësim të kostove.
Ekspertët e tregut vlerësojnë se ecuria e euros në javët në vijim do të varet kryesisht nga flukset sezonale të valutës dhe ndërhyrjet e mundshme për të ruajtur stabilitetin e tregut, megjithatë për momentin leku vijon të mbetet në pozita të forta, duke e çuar euron në një tjetër rekord negativ historik./ekofin.al

