Sektori i ndërtimit vijon të mbetet sektori më i ekspozuar ndaj huamarrjes në ekonominë shqiptare. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, 43% e ndërmarrjeve të ndërtimit deklarojnë se kanë aktualisht një hua për të paguar. Kjo është pesha më e lartë krahasuar me sektorët e tjerë të ekonomisë.
Në krahasim, në sektorin e tregtisë, ndërmarrjet huamarrëse zënë 40% të totalit, në industri 39%, ndërsa në shërbime vetëm 26%. Kjo e vendos ndërtimin në krye jo vetëm për përdorimin e kredisë, por edhe për ekspozimin ndaj rrezikut që vjen nga detyrimet financiare.
Të dhënat tregojnë se pesha e ndërmarrjeve të ndërtimit me hua është rritur krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, kur ishte 41%. Megjithatë, në krahasim me një vit më parë, Banka e Shqipërisë vëren se kjo peshë ka rënë me 4 pikë përqindje. Pra, sektori mbetet më i kredituari, por dinamika vjetore tregon një ulje të lehtë të peshës së firmave që mbajnë hua.
Nga të dhënat rezulton se përveç faktit se ndërtimi ka më shumë firma me kredi, ky sektor rezulton gjithashtu edhe me barrën më të lartë të huasë ndaj kapitalit. Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 27% e ndërmarrjeve të ndërtimit deklarojnë se vlera e huasë është e barabartë ose më e lartë se kapitali i tyre. Ky është niveli më i lartë ndër sektorët e analizuar.
Për krahasim, kjo peshë është 20% në tregti, 16% në shërbime dhe 13% në industri. Të dhënat tregojnë gjithashtu se ngarkesa e ndërtimit është rritur ndjeshëm gjatë vitit. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, vetëm 18% e ndërmarrjeve të ndërtimit raportonin hua të barabartë ose më të lartë se kapitali, ndërsa në gjashtëmujorin e dytë kjo peshë arriti në 27%.
Kjo e bën ndërtimin sektorin ku huamarrja duket më e përqendruar dhe më e rëndë në raport me kapitalin e vetë ndërmarrjeve. Në praktikë, kjo do të thotë se një pjesë e firmave të ndërtimit mbështeten fort te financimi i jashtëm për të zhvilluar aktivitetin, për të mbuluar kostot apo për të çuar përpara projektet.
Në të njëjtën kohë, ndërtimi është ndër sektorët me aktivitet të lartë shitjesh. Banka e Shqipërisë vëren se, sipas indeksit të shitjeve, nivelet më të larta gjatë periudhës rezultojnë te ndërmarrjet e mëdha dhe te sektorët e tregtisë e ndërtimit. Kjo tregon se kredia në ndërtim lidhet me një sektor aktiv, por edhe me nevoja të larta financimi. /ekofin.al


