Kreu i qeverisë, Edi Rama, së bashku me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacioni, Delina Ibrahimaj, kanë bërë një bashkëbisedim me një grup pensionistësh. Rama deklaroi se qeveria po përqendrohet edhe në përmirësimin e sistemit shëndetësor, duke theksuar se pas investimeve në infrastrukturë, prioritet mbetet rritja e cilësisë së shërbimeve dhe barnave.
Ai njoftoi se janë akorduar 15 milionë euro shtesë për barnat onkologjike, me synim forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për trajtimin e pacientëve, si dhe financime të tjera në sektorin e shëndetësisë.
“Dhe nuk e kemi harruar, as nuk kemi si ta harrojmë, që “thembrën e Akilit” në gjithë këtë progres e përbën shëndetësia, ku tanimë transformimi i madh që kemi bërë i infrastrukturës duhet të shoqërohet me një rritje të cilësisë së shërbimit, të cilësisë së barnave e kështu me radhë.
Por qysh se ndodhi ajo kriza e shëmtuar e Onkologjikut, ne jemi fokusuar aty dhe, me aktin normativ, kemi vendosur dje 15 milionë euro vetëm për barnat onkologjike, të cilat do të fuqizojnë kapacitetet e sistemit për të vazhduar të bëjnë më të mirën për kurimin e pacientëve dhe, po ashtu, një sërë financimesh të tjera për shëndetësinë“, tha ai.

