Strategjia e re Kombëtare për Diasporën 2026–2030 dhe Plani i Veprimit për periudhën 2026–2028 parashikojnë një kosto totale prej 1.853 miliardë lekësh, ose rreth 19.3 milionë euro, por jo e gjithë kjo shumë është e mbuluar me financim.
Sipas të dhënave të kostove indikative të strategjisë, buxheti i shtetit pritet të mbulojë 1.384 miliardë lekë, ndërsa pjesa tjetër, në vlerën 469.1 milionë lekë, rezulton ende hendek financiar. E përkthyer në përqindje, kjo do të thotë se 25.1% e kostove të planit të veprimit për diasporën nuk kanë ende burim të siguruar financimi.
Në euro, kostoja totale e planit llogaritet në 19.31 milionë euro, nga të cilat 14.42 milionë euro pritet të mbulohen nga buxheti i shtetit, ndërsa 4.88 milionë euro mbeten hendek financiar. .
Nga këndvështrimi ekonomik kjo strategji është e rëndësishme, pasi dokumenti synon ta shndërrojë diasporën në një nga shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit, por zbatimi i planit nis me një pjesë të konsiderueshme financimi ende të pambuluar.
Ajo çfarë bien në sy është struktura e shpenzimeve. Sipas dokumentit, 79.0% e kostove janë shpenzime korente, ndërsa vetëm 21.0% janë shpenzime kapitale. Kjo tregon se pjesa më e madhe e fondeve të parashikuara do të shkojë për shpenzime funksionimi, koordinimi, aktivitete, programe, administrim dhe mbështetje institucionale, ndërsa një pjesë më e vogël do të jetë e lidhur me investime kapitale.
Kjo ndarje ngre pyetjen se sa nga fondet e strategjisë do të përkthehen në instrumente konkrete që sjellin investime, sipërmarrje apo kthim të kapitalit të diasporës në ekonomi, dhe sa do të përdoren për ngritje kapacitetesh, aktivitete institucionale apo masa mbështetëse.
Sipas ndarjes sipas qëllimeve të politikave, peshën më të madhe financiare në planin e veprimit pritet ta ketë Qëllimi i Politikës IV, që lidhet me forcimin e lidhjes kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore të diasporës me atdheun, me 41.7% të kostos së përgjithshme. Më pas renditet Qëllimi i Politikës II, me 22.0%, që lidhet me pjesëmarrjen e diasporës në jetën politike, shoqërore dhe institucionale të Shqipërisë, ndërsa Qëllimi i Politikës I zë 21.1%. Qëllimi i Politikës III, që lidhet drejtpërdrejt me mobilizimin e potencialit financiar, njerëzor dhe intelektual të diasporës për zhvillimin ekonomik të vendit, zë 14.3% të kostos së përgjithshme.
Pra, edhe pse strategjia e vendos diasporën si aktor të rëndësishëm ekonomik, pjesa e planit që lidhet me mobilizimin e potencialit ekonomik dhe financiar të saj nuk ka peshën më të madhe në strukturën e kostove. Kjo e zhvendos debatin nga ambicia e dokumentit te pyetja kryesore: a do të arrijë strategjia të kthejë diasporën nga burim remitancash në burim investimesh, kur një pjesë e financimit mungon dhe shumica e kostove janë korente?/ekofin.al


