Kjo e hënë, 30 qershor 2026, shënon afatin e fundit për një pjesë të rëndësishme të masave lehtësuese të parashikuara në Ligjin për Faljen e Detyrimeve Tatimore të Papaguara. Administrata Tatimore u ka bërë thirrje edhe njëherë tatimpaguesve që të përfitojnë nga këto lehtësi brenda ditës së sotme, përpara përfundimit të afatit ligjor.
Sipas dispozitave të ligjit, tatimpaguesit që kishin detyrime tatimore të krijuara gjatë periudhës 2015–2019 mund të përfitonin faljen e 50% të detyrimit kryesor, me kusht që të kryenin pagesën e pjesës tjetër të principalit brenda afatit të përcaktuar. Krahas kësaj, përfituesit përjashtoheshin plotësisht nga pagesa e gjobave dhe kamatëvonesave të akumuluara për këto detyrime.
Kjo masë synon të lehtësojë barrën fiskale për bizneset dhe individët, duke u krijuar atyre mundësinë për të rregulluar marrëdhëniet me administratën tatimore në kushte më të favorshme.
Një tjetër afat i rëndësishëm që përfundon sot, më 30 qershor 2026, lidhet me dorëzimin e deklaratave të padeklaruara për periudhat tatimore deri më 31 dhjetor 2024. Tatimpaguesit që dorëzojnë deklaratat e vonuara brenda këtij afati përfitojnë faljen e plotë të gjobave për deklarim të vonuar, duke shmangur penalitetet e parashikuara në legjislacionin tatimor.
Ndërkohë, ligji parashikon që skema e faljes me kusht të vijojë deri më 31 dhjetor 2026 për kategoritë e tatimpaguesve që përfitojnë falje në masën 25% të detyrimit kryesor, sipas kritereve dhe kushteve të përcaktuara në aktin ligjor.
Administrata Tatimore ka vënë në dispozicion edhe një adresë të dedikuar elektronike për informacion dhe asistencë lidhur me procedurat e përfitimit nga falja, [email protected]. /ekofin.al

