Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2025, Shqipëria ka arritur të tërheqë më shumë investime të huaja edhe në fillim të vitit 2026. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se fluksi i investimeve të huaja direkte kapi një shifër prej 404 milionë eurosh në tremujorin e parë të 2026, nga 361 milionë euro që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo tregon se vendi po bëhet nga viti në vit një “pol” tërheqës për investimet nga jashtë. Megjithatë, nëse bëjmë një përllogaritje ndërmjet tremujorëve, fluksi i investimeve pësoi një rënie me rreth 5.4% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025, kur arriti në 427 milionë euro.
Por cilët janë sektorët që kanë përthithur më shumë investime?
Pasuritë e paluajtshme vijojnë të mbajnë “fronin” e investimeve. Në tremujorin e parë të vitit 2026, ky sektor përthithi 172 milionë euro investime të huaja, i ndjekur nga sektori i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit me 68 milionë euro, ai i energjisë elektrike, gazit dhe furnizimit me ujë me 38 milionë euro, si dhe industria përpunuese me 30 milionë euro.
Pavarësisht se mbetet ndër sektorët me vlerën më të madhe të investimeve të huaja, aktivitetet financiare dhe të sigurimit kanë shënuar rënie të fluksit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga 75 në 68 milionë euro. Ndërkohë, sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë, riparimit të automjeteve dhe motorçikletave, ka rënë nga 31 milionë euro në tremujorin e katërt të vitit 2025 në 26 milionë euro në tremujorin e parë të 2026.
Edhe në tremujorin e parë të vitit 2026, arsimi, aktivitetet e tjera të shërbimit, bujqësia, pyjet dhe peshkimi rezultojnë pa investime të huaja, ndërsa transporti dhe magazinimi, shëndeti dhe aktivitetet e punës sociale, si edhe arti, argëtimi dhe çlodhja, vijojnë të tërheqin nivele shumë të ulëta investimesh./Scantv

