Ekonomia shqiptare e mbylli vitin 2025 me një bilanc tregtar më të dobët, pasi rënia e eksporteve ishte shumë më e fortë se tkurrja e importeve. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se eksportet e mallrave zbritën në 346 miliardë lekë, me një rënie prej 6.1% krahasuar me vitin 2024, ndërsa importet arritën në 887 miliardë lekë, duke shënuar vetëm një ulje të lehtë prej 0.8%.
Si rezultat, deficiti tregtar u rrit me 3% krahasuar me një vit më parë dhe është afro 25% më i lartë se në vitin 2021, duke konfirmuar se ekonomia shqiptare vazhdon të mbështetet në importe shumë më tepër sesa arrin të eksportojë.
Raporti evidenton se mallrat shqiptare vazhdojnë të orientohen kryesisht drejt tregut europian. Plot 72.5% e eksporteve shkojnë në vendet e Bashkimit Europian, ndërsa 51.1% e importeve vijnë prej tyre. Megjithatë, edhe tregtia me BE-në ka pësuar ngadalësim gjatë vitit të kaluar, pasi eksportet drejt vendeve anëtare ranë me 5%, ndërsa importet u tkurrën me 1.7%.

Italia mbetet partneri më i madh tregtar i Shqipërisë. Gjatë vitit 2025 eksportet drejt Italisë arritën në 145 miliardë lekë, por ranë me 10.4% krahasuar me vitin 2024. Edhe importet nga Italia shënuan rënie me 2%, duke zbritur në 186 miliardë lekë. Pas Italisë, Kosova dhe Greqia mbeten destinacionet kryesore të eksporteve shqiptare, ndërsa Kina dhe Turqia janë ndër furnizuesit më të mëdhenj të mallrave të importuara.
Një nga zhvillimet më interesante të raportit është ndryshimi gradual i strukturës së eksporteve. Edhe pse mallrat e përpunuara vazhdojnë të dominojnë me mbi gjysmën e eksporteve, pesha e tyre ka rënë në 52.6%, duke reflektuar vështirësitë e industrisë fason dhe sektorëve tradicionalë prodhues. Në të kundërt, eksportet e produkteve ushqimore janë rritur me mbi 10%, ndërsa makineritë dhe pajisjet e transportit kanë shënuar gjithashtu rritje, duke sinjalizuar një diversifikim gradual të eksporteve shqiptare.
Nga ana tjetër, importet dominohen nga mallrat e përpunuara, makineritë dhe pajisjet e transportit, si edhe produktet ushqimore, çka tregon se ekonomia shqiptare vijon të mbështetet fuqishëm në furnizimet nga jashtë për konsum dhe investime.

Raporti sjell edhe një panoramë mbi strukturën e ndërmarrjeve që merren me tregtinë e jashtme. Numri i eksportuesve ka arritur në 3,809 ndërmarrje, me një rritje prej 0.7% krahasuar me vitin 2024 dhe gati 20% më shumë se në vitin 2021. Ndërkohë, ndërmarrjet importuese kanë arritur në 15,225, duke u rritur me 3.3% në bazë vjetore.
Edhe pse ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme përbëjnë pothuajse të gjithë numrin e eksportuesve dhe importuesve, vlera e tregtisë mbetet e përqendruar tek kompanitë më të mëdha. Vetëm 50 ndërmarrjet më të mëdha realizojnë 53.4% të eksporteve shqiptare, ndërsa 100 importuesit më të mëdhenj kontrollojnë 51.7% të importeve.
Sipas aktivitetit ekonomik, industria vazhdon të jetë motori kryesor i eksporteve, duke gjeneruar rreth tre të katërtat e tyre. Megjithatë, pesha e saj është tkurrur gjatë vitit 2025, ndërsa në importe dominon sektori i tregtisë, i cili realizon mbi 63% të vlerës së mallrave të importuara.
Një tjetër tregues që bie në sy është zgjerimi i rrjetit ndërkombëtar të kompanive shqiptare. Mbi gjysmën e eksporteve realizohen nga ndërmarrje që eksportojnë në të paktën 10 vende partnere, ndërsa në importe ky fenomen është edhe më i përqendruar, ku 86.4% e importeve kryhen nga kompani që furnizohen nga dhjetë ose më shumë vende./ekofin.al

