Ndërsa çmimet e qirave vijojnë të rriten në të gjithë Europën, një analizë e publikuar nga Euronews mbi të dhënat e Eurostat dhe platformës Tradingpedia nxjerr në pah një realitet shqetësues për Shqipërinë: Tirana renditet mes kryeqyteteve më pak të përballueshme të kontinentit, ku të ardhurat mesatare nuk arrijnë të mbulojnë koston e jetesës.
Sipas analizës, kryeqyteti shqiptar është futur në grupin e qyteteve europiane ku hendeku mes të ardhurave dhe kostove mujore mbetet negativ. Në Tiranë, shpenzimet mesatare mujore arrijnë në rreth 818 euro, ndërsa të ardhurat mesatare llogariten rreth 673 euro, duke krijuar një diferencë negative prej afro 145 eurosh në muaj.
Ky pozicion e vendos Shqipërinë përkrah vendeve si Greqia dhe Polonia, ku kostot e jetesës po rriten më shpejt se të ardhurat e familjeve.
Problemi nuk është vetëm qiraja, por fuqia blerëse
Raporti thekson se kryeqytetet më të lira nuk janë domosdoshmërisht më të përballueshmet. Ajo që përcakton mirëqenien ekonomike është raporti mes të ardhurave dhe kostove të jetesës.
Në rastin e Tiranës, edhe pse çmimet janë dukshëm më të ulëta se në Londër, Amsterdam apo Reykjavik, pagat mbeten shumë më të ulëta, duke e bërë barrën reale për qytetarët më të rëndë.
Ky është një fenomen që ekspertët e tregut imobiliar e kanë evidentuar prej vitesh. Rritja e vazhdueshme e çmimeve të apartamenteve dhe qirave, e nxitur nga kërkesa e lartë, turizmi, investimet në pasuri të paluajtshme dhe emigracioni i brendshëm drejt kryeqytetit, nuk është shoqëruar me një ritëm të ngjashëm të rritjes së të ardhurave.
Europa e ndarë në tre realitete
Analiza identifikon tre modele të ndryshme europiane. Në njërin ekstrem qëndrojnë kryeqytetet më të lira si Sarajeva, Minsku dhe Kishinau, ku kostoja mujore e jetesës mbetet nën 650 euro. Në anën tjetër janë kryeqytetet më të shtrenjta si Reykjaviku, Londra dhe Amsterdami, ku shpenzimet mujore kalojnë 2,600 euro.
Megjithatë, qytetet më të shtrenjta nuk janë domosdoshmërisht më problematiket. Në Luksemburg, Bernë dhe Bruksel, pagat e larta kompensojnë kostot e jetesës dhe u lejojnë familjeve të ruajnë një nivel të konsiderueshëm kursimesh. Në të kundërt, Tirana, Athina dhe Varshava renditen ndër kryeqytetet më pak të përballueshme, pikërisht sepse të ardhurat nuk arrijnë të ndjekin ritmin e kostove.
Kriza europiane e strehimit po thellohet
Një tjetër analizë e Euronews, bazuar në të dhënat e Eurostat dhe Konfederatës Europiane të Sindikatave (ETUC), tregon se në shumë kryeqytete europiane qiratë kanë arritur nivele ku edhe paga minimale nuk mjafton për të përballuar një apartament standard.
Sipas Eurostat, strehimi mbetet zëri më i madh i shpenzimeve për familjet europiane, duke zënë 23.6% të totalit të konsumit familjar në Bashkimin Europian.
Ky presion po ndihet gjithnjë e më shumë edhe në Shqipëri, ku tregu i pasurive të paluajtshme ka shënuar rritje të vazhdueshme të çmimeve gjatë viteve të fundit.
Sinjal për politikëbërësit
Pozicionimi i Tiranës mes kryeqyteteve më pak të përballueshme të Europës është një tregues që shkon përtej tregut të pasurive të paluajtshme. Ai reflekton një problem më të gjerë ekonomik: ritmi i rritjes së pagave nuk po arrin të ndjekë ritmin e kostove të jetesës.
Ndërsa ndërtimi vazhdon të jetë një nga sektorët më dinamikë të ekonomisë shqiptare dhe tregu imobiliar mbetet aktiv, sfida për vitet e ardhshme do të jetë balancimi i zhvillimit të tregut me fuqinë reale blerëse të qytetarëve.
Përndryshe, edhe pse Tirana mund të mbetet më e lirë se kryeqytetet e Europës Perëndimore në terma absolutë, për shumë familje shqiptare ajo rrezikon të bëhet një nga qytetet më të vështira për t’u përballuar financiarisht. /ekofin.al

