Arrestimet e fundit të kryera nga SPAK dhe sekuestrimi i aseteve me vlerë 278.4 milionë euro kanë rikthyer në qendër të debatit një nga çështjet më të ndjeshme të ekonomisë shqiptare: raportin mes tregut të pasurive të paluajtshme, investimeve dhe rrezikut të pastrimit të parave.
Ekofin.al iu drejtua për koment Shoqatës së Ndërtuesve dhe Shoqatës së Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme, NAREA-n për të analizuar se si ndikon ekspozimi që ka tregu i pasurive të paluajtshme ndaj parave me origjinë të paligjshme.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Erjon Harizaj, u shpreh se shoqata mbështet zbatimin e ligjit, por kundërshton mënyrën se si çështje të tilla trajtohen në opinionin publik para se të ketë një vendim përfundimtar të drejtësisë.
“Shoqata nuk është dakord për mediatizimin që u bëhet këtyre çështjeve, është kundër këtij gjyqi publik pa u shpallur akoma fajtor”, deklaroi Harizaj.
Qëndrimi i ndërtuesve vjen në një moment kur sektori i pasurive të paluajtshme është nën vëzhgim të shtuar nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe autoritetet shqiptare për shkak të ekspozimit të tij ndaj rrezikut të pastrimit të parave.
NAREA: Agjentët mbulojnë vetëm 20% të tregut
Një këndvështrim tjetër vjen nga Shoqata Kombëtare e Pasurive të Paluajtshme, NAREA, e cila argumenton se ndërmjetësit e licencuar mund të luajnë një rol shumë më të madh në identifikimin e transaksioneve të dyshimta.
Sipas NAREA-s, roli sinjalizues i sektorit mbetet aktualisht i kufizuar.
“Në shumë aspekte, roli sinjalizues është shumë i cunguar. Kjo për shkak të mungesës së aksesit në regjistrat shtetërorë, pamundësisë për të prodhuar inteligjencë dhe sfidave në zbatimin efektiv të kuadrit ligjor. Vlerësohet që ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme mbulojnë jo më shumë se 20% të transaksioneve me pasuri të paluajtshme”, u shpreh Reinaldo Pipiria për Ekofin.al.
Sipas tij, pikërisht ky fakt krijon hapësira ku transaksionet mund të kryhen pa filtrat profesionalë që aplikohen nga agjentët e licencuar.
NAREA argumenton se ndërmjetësit duhet të kenë një rol më të madh si “gardianë” të tregut.
“Ne dhe anëtarët tanë, si profesionistë të licencuar dhe garantues të integritetit të transaksioneve, mund të shërbejmë si filtër për investitorët. Kemi kërkuar vazhdimisht që të jemi pjesë integrale e marrëveshjeve dhe që kuadri ligjor të adresojë nevojën e përfshirjes së ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme në një gamë më të gjerë transaksionesh”, shprehet Drejtori Ekzekutiv i NAREA.
Goditje për imazhin apo pastrim i tregut?
Arrestimet e fundit kanë hapur debat edhe mbi efektet që operacione të tilla mund të kenë mbi klimën e investimeve.
Nga njëra anë, publikimi i rasteve ku dyshohet për pastrim parash në sektorin imobiliar mund të krijojë perceptime negative për tregun. Nga ana tjetër, ekspertët argumentojnë se transparenca dhe ndëshkimi i rasteve të paligjshme janë parakusht për një treg më të qëndrueshëm.
Në këtë pikë, NAREA vlerëson se efektet afatgjata do të jenë pozitive.
“Efekti pozitiv afatgjatë është rregullimi, formalizimi, disiplinimi, zhvillimi dhe pastrimi i industrisë. Këto janë elementë që rrisin besimin e investitorëve se Shqipëria është një vend i sigurt, me rregulla dhe ku ia vlen të investohet. Kjo do të kërkojë kohën e vet, por nuk është e pamundur”, vlerëson NAREA.
Sekuestrimi i pasurive me vlerë mbi 278 milionë euro në dy operacionet e fundit vlerësohet ndër goditjet më të mëdha financiare të ndërmarra ndonjëherë nga SPAK ndaj aseteve që dyshohet se burojnë nga aktivitet kriminal.
Pavarësisht se përgjegjësia penale mbetet për t’u provuar nga gjykatat, operacioni dërgon një sinjal të fortë për sektorin e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimit: periudha kur kapitalet e dyshimta mund të qarkullonin lehtësisht në treg duket se po përballet me një kontroll gjithnjë e më të madh institucional.
Sfida tashmë nuk është vetëm ndëshkimi i rasteve individuale, por ndërtimi i një sistemi ku filtrat profesionalë, institucionet financiare, noteria, agjentët imobiliarë dhe autoritetet shtetërore të funksionojnë si hallka të një mekanizmi që pengon hyrjen e kapitaleve me origjinë të paligjshme në ekonomi. Vetëm në këtë mënyrë tregu i pasurive të paluajtshme mund të ruajë ritmet e zhvillimit, pa cënuar besueshmërinë e tij përballë investitorëve vendas dhe të huaj.
Goditja e grupit që paratë e kokainës i fuste në ndërtim
Operacioni, i cili sipas Prokurorisë së Posaçme është rezultat i një hetimi të nisur në vitin 2021, ka dokumentuar aktivitetin e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine nga Amerika Latine drejt Europës. Sipas hetimeve, fitimet e përfituara nga aktiviteti kriminal dyshohet se janë investuar më pas në pasuri të paluajtshme, projekte ndërtimi, kompani tregtare dhe biznese turistike në Shqipëri.
Mes aseteve të sekuestruara gjenden pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Durrës, Elbasan, Hamallaj, Lezhë, Shkodër, Himarë, Sarandë. Përtej aspektit penal, operacioni ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionon kontrolli i investimeve në tregun e pasurive të paluajtshme dhe sa efektive janë mekanizmat për identifikimin e kapitaleve me burim të dyshimtë. /ekofin.al

