Turizmi vijon të jetë një nga motorët më të fortë të ekonomisë shqiptare edhe në vitin 2026. Të dhënat e bilancit të pagesave tregojnë se gjatë tremujorit të parë të vitit, turistët e huaj shpenzuan rreth 1 miliard euro në Shqipëri, duke kaluar për herë të parë pragun në një tremujor të parë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur shpenzimet arritën në 874,4 milionë euro, të ardhurat nga turistët u rritën me rreth 14.8%, ndërsa në raport me vitin 2024 rritja është mbi 27%. Në vetëm dy vite, ekonomia shqiptare ka fituar afro 215 milionë euro më shumë nga vizitorët e huaj gjatë muajve Janar-Mars.
Nga ana tjetër, edhe shqiptarët kanë vijuar të udhëtojnë jashtë vendit me ritme të larta. Në tremujorin e parë të vitit 2026 ata shpenzuan 640,9 milionë euro, nga 579 milionë euro një vit më parë, duke regjistruar një rritje prej rreth 10.7%. Megjithatë, ritmi i rritjes së shpenzimeve të turistëve të huaj ka qenë dukshëm më i shpejtë se ai i daljeve të shqiptarëve jashtë vendit.
Si rezultat, bilanci neto i turizmit mbeti pozitiv me 362,9 milionë euro, duke u rritur me afro 23% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025. Ky është një nga rezultatet më të larta të regjistruara ndonjëherë për muajt e parë të vitit dhe tregon se turizmi po sjell gjithnjë e më shumë valutë në ekonominë shqiptare.
Të dhënat sugjerojnë se Shqipëria po konsolidohet si një destinacion që tërheq një numër në rritje vizitorësh dhe shpenzimesh, jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe jashtë tij. Ndërkohë, edhe pse shqiptarët po shpenzojnë gjithnjë e më shumë për udhëtimet jashtë vendit, të ardhurat që gjenerohen nga turistët e huaj mbeten ndjeshëm më të larta, duke ruajtur një bilanc pozitiv për ekonominë.
Rritja e të ardhurave nga turizmi ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në tregun valutor. Hyrja e mbi 1 miliard eurove nga turistët e huaj vetëm në tremujorin e parë rrit ofertën e valutës në ekonomi dhe ushtron presion për forcimin e lekut ndaj euros. Fenomeni është bërë gjithnjë e më i dukshëm muajt e fundit, sidomos gjatë sezonit turistik, kur flukset e larta të valutës nga vizitorët e huaj kanë kontribuar në zhvlerësimin e euros në tregun vendas./Scan tv




