Një prej akseve më të ngarkuara të qarkullimit në hyrje të Tiranës do të përballet me kufizime dhe bllokime të përkohshme gjatë ditëve në vijim. Shkak janë punimet për ndërtimin e linjës së re hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas.
Sipas njoftimit zyrtar, nga data 6 deri më 9 qershor do të ketë bllokim dhe devijim të qarkullimit në zonën e njohur si Rrethrrotullimi i Treshit, pranë Kthesës së Kamzës, aty ku rruga kryqëzohet me shinat e hekurudhës.
Ndërhyrja është e nevojshme për vijimin e punimeve në linjën hekurudhore që do të lidhë Tiranën me Durrësin dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, projekt që synon të krijojë alternativën e parë moderne të transportit hekurudhor për pasagjerët dhe të reduktojë varësinë nga transporti rrugor.
Punimet do të zhvillohen në tre faza.
Faza e parë parashikon bllokim të plotë të qarkullimit nga mesnata e datës 6 qershor deri në orën 05:00 të mëngjesit të 7 qershorit. Gjatë kësaj kohe, automjetet që lëvizin drejt Tiranës do të devijohen nëpërmjet rrugës “Petrit Radovicka”, ndërsa mjetet që vijnë nga Tirana do të orientohen drejt rrugës dytësore industriale ose autostradës në drejtim të Vorës.
Më pas, nga ora 05:00 deri në 15:00 të datës 7 qershor, qarkullimi do të rikthehet pjesërisht. Punimet do të vijojnë në korsinë në anën e Tiranës, ndërsa trafiku do të funksionojë me nga një korsi për secilin kah lëvizjeje.
Faza e tretë do të jetë më e gjata. Nga ora 23:00 e datës 7 qershor deri në orën 10:00 të datës 9 qershor, punimet do të zhvendosen në anën e Durrësit. Trafiku do të devijohet plotësisht në korsinë tjetër, por do të vazhdojë të funksionojë me dy kahe lëvizjeje, nga një korsi për secilin drejtim.
Autoritetet paralajmërojnë se drejtuesit e mjeteve duhet të llogarisin kohë shtesë për udhëtimet e tyre, pasi zona e Kthesës së Kamzës dhe Rrethrrotullimit të Treshit konsiderohet një nga pikat më të ngarkuara të qarkullimit në vend, veçanërisht në fundjavë dhe në oraret e pikut.
Hekurudha Shqiptare, kompania kontraktore dhe Policia Rrugore kanë bërë të ditur se janë marrë masa për menaxhimin e trafikut dhe orientimin e drejtuesve të mjeteve. Ndërkohë, qytetarëve u kërkohet të respektojnë sinjalistikën e përkohshme dhe të planifikojnë paraprakisht lëvizjet e tyre për të shmangur vonesat.

