Shqipëria ka përshpejtuar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ka shënuar përmirësime në tregues politikë, ekonomikë dhe të qeverisjes, por vijon të përballet me probleme strukturore si korrupsioni, çështjet e pronësisë, patronazhi politik dhe dobësitë e administratës publike, sipas raportit “BTI 2026” të Fondacionit Bertelsmann që u publikua në mars.
BTI vlerëson transformimin drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut, si dhe cilësinë e qeverisjes në 137 vende.
Në Indeksin e Statusit, Shqipëria merr 7.40 pikë dhe renditet në vendin e 18-të nga 137 vende; në transformimin politik vlerësohet me 7.70 pikë dhe renditet e 20-ta, në transformimin ekonomik me 7.11 pikë dhe vendin e 23-të, ndërsa në qeverisje paraqitet më mirë, duke u renditur e 11-ta me 6.71 pikë.
Por megjjthë këto përparime, korrupsioni dhe rrjetet e patronazhit mbeten ndër kritikat më të forta të raportit. Sipas BTI-së, hetimet për korrupsion të nivelit të lartë kanë zbuluar rolin e rrjeteve politike dhe klienteliste, ku funksionarë të lartë emërojnë bashkëpunëtorë në pozicione kyçe dhe mundësojnë devijimin e kontratave apo burimeve shtetërore drejt familjarëve, bizneseve të lidhura dhe në disa raste edhe rrjeteve kriminale.
Një tjetër problem i madh është prona: rreth 80% e regjistrimeve të pronave vlerësohen të pasakta, ndërsa 10% e territorit mbetet i paregjistruar, duke e bërë këtë sektor shumë të ekspozuar ndaj korrupsionit, abuzimit dhe pasigurisë juridike. /ekofin.al


