Qeveria ka hapur zyrtarisht aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, një program financimi me vlerë 52 milionë euro që synon të mbështesë fermerët, rritjen e prodhimit vendas dhe modernizimin e sektorit bujqësor.
Aplikimet për Skemën Kombëtare 2026 hapen sot dhe përfshijnë 12 masa mbështetëse për sektorë të ndryshëm të bujqësisë dhe agroindustrisë. Fermerët do të mund të përfitojnë subvencione deri në 10 mijë lekë për hektar për sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore për fermat mbi 3 hektarë.
Përveç mbështetjes direkte për kultivimin, skema parashikon financim edhe për pajisje dhe makineri bujqësore, me synim mekanizimin e fermave dhe uljen e kostove të prodhimit. Një tjetër element mbështetës është kompensimi në masën 10% i autofaturave për fermerët.
Skema është hartuar pas konsultimeve me grupet e fermerëve dhe synon të reflektojë nevojat reale të sektorit në kushtet aktuale ekonomike.
“Qeveria shqiptare ka akorduar 52 milionë euro për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026. Janë 12 masa mbështetëse ku fermerët mund të aplikojnë për bimët mjekësore, pemtarinë, agroturizmin, bletarinë dhe blegtorinë. Kemi sigurinë ushqimore që duhet të jetë e para në kushtet kur Shqipëria po ecën përpara në integrimin europian”, ka deklaruar më herët ministri Andis Salla.
Në fokus të veçantë mbetet sektori i bimëve medicinale, i cili në vitet e fundit është kthyer në një nga sektorët më eksportues të bujqësisë shqiptare, sidomos në zonat malore të veriut dhe jugut të vendit. Ministria e Bujqësisë thekson se mbështetja për këtë sektor do të vijojë edhe në vitet në vijim, si pjesë e politikave për forcimin e prodhimit vendas dhe zinxhirit të vlerës në bujqësi.

