Në një akt sui generis, mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë rrëzoi të enjten veten, duke votuar kundër kandidaturës së propozuar nga vetë ajo të Matilda Shehut për anëtare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Votimi kundër saj në seancë, pasi ajo i ishte përcjellë Kuvendit me mbështetjen e një grupi deputetësh të mazhorancës, përbën herën e parë kur shumica ka rrëzuar vetë propozimin e saj, pas publikimit në media të detajeve mbi kandidaturën e znj. Shehu.
Por çfarë ka ndodhur me këtë kandidaturë?
Më 19 shkurt 2026, Kuvendi zgjodhi katër anëtarë të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë: Selami Xhepa (74 vota pro, 16 kundër), Holta Zaçaj (72 pro, 19 kundër, 1 abstenim), Ervin Mete (74 pro, 17 kundër) dhe Jonida Prifti (73 pro, 18 kundër). Xhepa dhe Zaçaj ishin propozuar nga Kuvendi, ndërsa Mete dhe Prifti nga qeveria.
Emri i pestë, i cili gjithashtu ishte propozuar nga Kuvendi, Matilda Shehu, u shty për votim në një seancë tjetër plenare, me kërkesë të kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla.
Që nga shtyrja në seancën e 19 shkurtit, mazhoranca e mbajti pezull vendimmarrjen për znj. Shehu, mes diskutimeve të brendshme se çfarë do të bënte me të. Vendimi për rrëzimin e saj, me sa dukej, ishte marrë pas daljes në media të detajeve se në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë po votohej një person me lidhje familjare në pozicione të tjera kyçe.
Bashkëshorti i saj, Ismail Shehu, mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë që prej kohës kur ministria drejtohej nga Ulsi Manja. Ndërsa vëllai i saj, Saimir Tola, është kryetar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, institucion paralel rregullator i tregjeve financiare, së bashku me Bankën e Shqipërisë.
Vetëm se mazhoranca “u mendua” disa herë se si do ta rrëzonte dhe zëvendësonte Matilda Shehun me një emër tjetër dhe proceduralisht nuk kishte rrugë tjetër, përveçse të rrëzonte me votë në seancë veten e saj. Dhe këtë e bëri më në fund dje, me disa muaj vonesë.
Për t’u veçuar fakti se votave kundër të mazhorancës iu bashkua, për çudi, edhe opozita, në një akt që mund të paralajmërojë ndonjë marrëveshje të mundshme për emrin e ri të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës. Tani, gjithsesi, procedura rihapet dhe mund të propozohet nga Komisioni i Ekonomisë një emër tjetër nga kandidatët në garë.
Ashtu siç paralajmëroi Ekofin.al, në të njëjtën seancë u votua dje znj. Merita Bejtja në postin e Inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë për një mandat të tretë. Znj. Bejtja mori 84 vota pro./ekofin.al

