Politikanët theksojnë se energjitë e rinovueshme duhet të luajnë një “rol qendror” në forcimin e sigurisë energjetike, por një projekt i madh për energji diellore është përballur me kundërshtime.
Planet për ndërtimin e asaj që do të bëhej ferma më e madhe diellore në Evropë janë vënë në pikëpyetje pas “muajsh shqyrtimi”.
Argumentet për energjitë e rinovueshme duken më të forta se kurrë, ndërsa lufta me Iranin vazhdon të rrisë çmimet e naftës dhe gazit. Një analizë e fundit tregon se energjia diellore, e konsideruar si forma më e lirë e energjisë së pastër, i ka kursyer Evropës 3 miliardë euro vetëm muajin e kaluar duke ulur varësinë nga importet e karburanteve fosile.
Megjithatë, ndërtimi i infrastrukturës së rinovueshme është bërë gjithnjë e më i debatueshëm, pasi shumë evropianë janë të ndarë për ndikimin që turbinat e erës dhe panelet diellore kanë në hapësirat natyrore.
Plani ambicioz për fermën më të madhe diellore në Evropë
Fusha diellore Botley West, e propozuar për herë të parë në shtator 2022, synon të lidhet me rrjetin deri në vjeshtën e vitit 2029.
E vendosur në Oxfordshire, Angli, ajo mund të prodhojë 840 megavat energji të pastër, e mjaftueshme për të furnizuar rreth 330,000 banesa. Kjo përfaqëson 1.2% të objektivave të Mbretërisë së Bashkuar për kapacitetin diellor deri në vitin 2035.
Kompania Photovolt Development Partners (PVDP), që qëndron pas projektit prej 800 milionë paundësh (rreth 916 milionë euro), thotë se ferma do të ndihmojë në uljen e emetimeve të karbonit dhe forcimin e sigurisë energjetike.
Ndërkohë që PVDP është zotuar të sigurojë një rritje neto të biodiversitetit prej të paktën 70%, banorët lokalë kanë kërkuar që projekti të reduktohet për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin në mjedis.
Ian Hudspeth, ish-kreu i Këshillit të Qarkut Oxfordshire, i cili jeton në një nga zonat e përfshira, argumenton se ferma do të krijonte një “oqean xhami dhe çeliku” në fshat.
Një grup kundërshtues është ngritur për të protestuar kundër projektit. Organizata Stop Botley West thotë se instalimi i një numri kaq të madh panelesh mund të dëmtojë prodhimin bujqësor dhe se projekti shtrihet shumë afër sitit të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Pallatit Blenheim.
Grupi pretendon gjithashtu se do të ketë humbje të habitateve të kafshëve të egra, rritje të rrezikut të përmbytjeve dhe një ndikim vizual “të paprecedentë” në zonë.
Nick Eyre nga Instituti për Ndryshimet Mjedisore në Universitetin e Oksfordit thotë se shumë nga shqetësimet për ndikimin në ushqim janë “tejet të ekzagjeruara”.
“Ne mund të prodhojmë ushqim shumë më efikas, dimë si ta bëjmë këtë,” tha ai për BBC. “Për ta vënë në perspektivë, 1% e territorit të Mbretërisë së Bashkuar janë fusha golfi. Nuk dëgjoj askënd të thotë se fushat e golfit janë kërcënim për sigurinë ushqimore.”
A do të realizohet Botley West?
Inspektorët e planifikimit i dorëzuan një raport mbi projektin ministrit të Energjisë, Ed Miliband, në shkurt. Sipas ligjit britanik, një vendim duhet të merret brenda tre muajve (deri më 10 maj), përveç rasteve kur shpallet një afat i ri.
Megjithatë, qeveria britanike ka konfirmuar se vendimi për këtë projekt do të shtyhet me katër muaj, deri më 10 shtator.
“Kjo bëhet për t’i dhënë mundësi departamentit tim të kërkojë informacion shtesë nga aplikanti dhe për t’u dhënë kohë palëve të interesuara ta shqyrtojnë atë,” tha ministri për Konsumatorët e Energjisë, Martin McCluskey.
“Vendosja e afatit të ri nuk paragjykon vendimin përfundimtar nëse projekti do të miratohet apo jo.”
Profesori Alex Roger, kryetar i grupit Stop Botley West, e mirëpriti vendimin për të kërkuar më shumë informacion dhe për t’u dhënë kohë palëve të interesuara.
Euronews Earth ka kontaktuar kompaninë PVDP për koment./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

