Brenda vetëm tri javësh nga nisja e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, tregu shqiptar i karburanteve ka reflektuar një rritje të fortë të çmimeve, duke rikthyer shqetësimet për një valë të re inflacioniste në ekonomi. Nga nivelet 173–175 lekë për litër para krizës, nafta ka arritur mesatarisht në 214 lekë/litër, ndërsa në disa pika shitjeje ka prekur edhe 217 lekë/litër, duke shënuar një rritje me mbi 22% për konsumatorët.
Rritja e çmimit në tregun vendas ka ardhur në një kohë kur edhe nafta bruto në bursat ndërkombëtare është shtrenjtuar ndjeshëm. Nga rreth 81 dollarë për fuçi në fillim të marsit, çmimi ka arritur në mbi 103 dollarë, ndërsa paralajmërimet për përshkallëzim të mëtejshëm të krizës mbajnë të lartë pasigurinë në tregjet globale të energjisë.
Qeveria ka vendosur rikthimin e Bordit të Transparencës, duke vendosur paraprakisht kufizimin e fitimit për operatorët: rreth 3 lekë për litër për shumicën dhe deri në 12 lekë për pakicën. Paralelisht, është ndërmarrë edhe një ulje e akcizës me 20%, ose rreth 7.7 lekë për litër, një masë që synon të amortizojë një pjesë të rritjes së çmimeve për konsumatorin final.
Megjithatë, efektet e rritjes së karburanteve kanë nisur të përhapen me shpejtësi në ekonomi. Transporti, industria dhe sektori i ndërtimit po përballen me kosto më të larta operative, ndërsa zinxhiri i furnizimit po reflekton presion të drejtpërdrejtë mbi çmimet e produkteve ushqimore. Duke qenë një ekonomi me varësi të lartë nga importet, Shqipëria mbetet veçanërisht e ekspozuar ndaj këtij “efekti domino”.
Burime për Ekofin bëjnë me dije se qeveria po përgatit një paketë mbështetëse për shtresat më në nevojë, përfshirë familjet me ndihmë ekonomike, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara. Qëllimi është zbutja e ndikimit të menjëhershëm të rritjes së çmimeve, në një kohë kur pritet që inflacioni të përshpejtohet në muajt në vijim.
Ende nuk janë bërë publike detaje konkrete mbi masat që do të përfshijë paketa, por burimet sugjerojnë se mund të përfshihen transferta direkte financiare, ndërsa nuk përjashtohen edhe lehtësimet e përkohshme fiskale. Me këtë rast qevetia pritet të ndryshojë në prill buxhetin përmes një akti normativ, duke shfrytëzuar performancën pozitive të të ardhurave në muajt e parë të vitit.
Kjo situatë rikthen në vëmendje skenarin e vitit 2022, kur rritja e fortë e çmimeve të energjisë dhe karburanteve solli ndërhyrje të menjëhershme fiskale dhe masa mbrojtëse për konsumatorët. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nëse kriza në Lindjen e Mesme zgjatet, ndikimi këtë herë mund të jetë edhe më i thellë, duke prekur jo vetëm çmimet, por edhe ritmin e rritjes ekonomike.
Në një ekonomi ku ushqimet dhe energjia zënë peshë të lartë në shpenzimet familjare, çdo rritje e mëtejshme e kostove përbën rrezik real për fuqinë blerëse të qytetarëve. Për këtë arsye, ndërhyrja e shpejtë dhe e targetuar e politikave publike pritet të jetë vendimtare për të shmangur një përkeqësim të mëtejshëm të situatës ekonomike në vend. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

