Ndryshimet e reja në udhëzimin për tatimin mbi të ardhurat sjellin një qasje më të sofistikuar ndaj individëve të vetëpunësuar, duke synuar të adresojnë një nga problematikat më të diskutuara të viteve të fundit: “punësimin e maskuar”.
Sipas rregullave aktuale, një individ i vetëpunësuar që siguron 80% të të ardhurave nga një klient i vetëm ose 90% nga më pak se tre klientë, për qëllime tatimore trajtohet si i punësuar dhe tatohet me normat e punësimit, jo si biznes. Në këtë rast, ai detyrohet të deklarojë të ardhurat në rubrikën e punësimit dhe jo të biznesit.
Megjithatë, udhëzimi me ndryshimet e reja, shton një element të rëndësishëm fleksibiliteti, duke lejuar që ky rregull të mos zbatohet automatikisht. Individi i vetëpunësuar mund të vetëdeklarojë se nuk ndodhet në kushte të marrëdhënies së punësimit, përmes një dokumentit formal: “Deklarata e Statusit të Vetëpunësuarit”.
Kjo deklaratë dorëzohet pranë Administratës Tatimore së bashku me deklaratën vjetore të të ardhurave nga biznesi, brenda muajit mars të vitit pasardhës, përfshirë edhe afatin e 31 marsit 2026 për deklarimet përkatëse. Në këtë fazë, të ardhurat vazhdojnë të trajtohen si të ardhura nga biznesi.
Por ndryshimi thelbësor qëndron te fakti se vetëdeklarimi nuk është përfundimtar. Administrata Tatimore e konsideron këtë deklaratë vetëm si një mjet vlerësimi dhe ruan të drejtën të analizojë në thelb marrëdhënien ekonomike. Nëse gjatë kontrolleve konstatohet se individi nuk mbart risk financiar, punon me mjetet e klientit dhe është i varur nga ai në organizimin e punës, të ardhurat mund të rikarakterizohen si të ardhura nga punësimi.
Shembujt e përfshirë në udhëzim ilustrojnë këtë vlerësim. Një individ që siguron 83% të të ardhurave nga një klient i vetëm mund të vazhdojë të trajtohet si biznes, nëse provon se ka pavarësi reale në aktivitet. Por në raste të tjera, si një mjek që punon vetëm me një spital duke përdorur pajisjet dhe pacientët e tij, apo një kuzhinier që punon me orar të përcaktuar dhe pagë fikse në një restorant, administrata e konsideron marrëdhënien si punësim, pavarësisht formës formale të vetëpunësimit.
Po ashtu, një hidraulik që punon ekskluzivisht për një kompani, me materiale dhe kontroll të plotë nga ajo, trajtohet si punonjës, ndërsa një shkrimtar që punon në mënyrë të pavarur, me mjetet dhe orarin e tij, konsiderohet kontraktor i pavarur dhe tatohet si biznes.
Në kuptimin praktik, ky ndryshim rrit rrezikun për individët që përdorin vetëpunësimin si formë për të shmangur detyrimet e punësimit, por njëkohësisht u jep hapësirë profesionistëve realisht të pavarur të mos penalizohen automatikisht nga kriteret numerike.
Nga pikëpamja fiskale, ndikimi pritet të jetë i ndjeshëm në disa sektorë specifikë të ekonomisë shqiptare, veçanërisht në profesionet e lira si mjekët, inxhinierët, IT, konsulentët dhe shërbimet kreative, ku përdorimi i vetëpunësimit ka qenë i përhapur. Rikarakterizimi i të ardhurave si paga sjell jo vetëm norma më të larta tatimore progresive, por edhe detyrime shtesë për kontribute shoqërore dhe shëndetësore.
Kjo pritet të rrisë të ardhurat buxhetore dhe të ulë hapësirat për evazion, por njëkohësisht mund të rrisë kostot për bizneset që operojnë me kontraktorë individualë dhe të ndryshojë strukturën e marrëdhënieve të punës në treg./ekofin.al
Shembuj konkretë nga Udhëzimi
Shembulli 1
Një individ i vetëpunësuar, i regjistruar me aktivitet “Shërbime për shfaqje artistike”, gjatë vitit tatimor 2025 realizon të ardhura bruto në shumën 3,500,000 lekë. Nga këto të ardhura, 2,900,000 lekë, ose rreth 83% e totalit, realizohen nga një klient i vetëm rezident tatimor në Republikën e Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër e të ardhurave realizohet nga dy klientë të tjerë të ndryshëm. Referuar shkronjës “ç”, pika 1, e nenit 12 të ligjit, ky individ do të plotësonte kriterin për t’u trajtuar si e ardhur nga punësimi për qëllime tatimore. Megjithatë, individi i vetëpunësuar, duke vlerësuar rrethanat konkrete të marrëdhënies ekonomike me klientin, dorëzon pranë drejtorisë tatimore rajonale Deklaratën e Statusit të Vetëpunësuarit, në të cilën vetëdeklaron se nuk ndodhet në kushtet e të ardhurave nga punësimi. Deklarata dorëzohet brenda muajit mars, së bashku me Deklaratën Vjetore të Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi. Në këtë rast, deri në një vlerësim të kundërt nga administrata tatimore, të ardhurat e individit të vetëpunësuar trajtohen si të ardhura nga biznesi, dhe individi plotëson rubrikat përkatëse të të ardhurave nga biznesi në Deklaratën Tatimore Vjetore të Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi. Administrata tatimore, në ushtrim të kompetencave të saj në zbatim të ligjit për procedurat tatimore, përdor Deklaratën e Statusit të Vetëpunësuarit si mjet vlerësimi për verifikimin e mëtejshëm për të përcaktuar nëse ky tatimpagues është apo jo në kushtet e shmangies tatimore.
Shembulli 2
Një doktor me iniciale “A.N.” është i vetëpunësuar, ka një kontratë shërbimi me një spital dhe përfiton të ardhura vjetore prej 200.000 lekësh, sipas faturimit që kryen kundrejt spitalit. Gjatë ushtrimit të detyrës ai përdor pajisjet e spitalit (aparatura, sallat, zyrat, materialet mjekësore) pa investuar vetë. Pacientët që mjekon i siguron spitali, nuk i sjell ai vetë. Ai e ushtron detyrën në orarin e përcaktuar nga spitali. Spitali mbikëqyr punën e tij dhe vendos rregullat që ai duhet të ndjekë gjatë ushtrimit të detyrës sipas rregulloreve të spitalit. Pra, pavarësisht se doktori “A.N.” sillet si një vetëpunësuar, në fakt sjellja e tij është e njëjtë me atë të një të punësuari pasi ai është i varur nga spitali për punën dhe mjetet, ai nuk mbart risk financiar, prandaj për qëllime tatimore ai do të trajtohet si punonjës i spitalit.
Shembulli 3
Një kuzhinier me iniciale “B.C.” ushtron profesionin si i vetëpunësuar në restorantin “Z” dhe nuk mund ta delegojë apo zëvendësojë me dikë tjetër veten e tij. Restoranti ku ai punon, ka investuar mbi të gjitha pajisjet e kuzhinës dhe furnizon të gjitha materialet që i duhen kuzhinierit “B.C.” për të kryer punën e tij. Gjithashtu, restoranti ka përcaktuar dhe orarin dhe ditët e punës të kuzhinierit “B.C.” Ai paguhet me pagë fikse mujore 250,000 lekë pavarësisht qarkullimit që kryhet në restorant, sipas kontratës që ka me restorantin. Pra, kuzhinieri “B.C.” në këtë rast është një punonjës i restorantit, pavarësisht sjelljes së tij si i vetëpunësuar, për arsye se sjellja e tij është e njëjtë me atë të një punonjësi, ai nuk mbart risk dhe puna e tij kontrollohet tërësisht nga restoranti.
Shembulli 4
Personi i vetëpunësuar me iniciale “E.D.” është një shkrimtar. Ai përdor mjetet e veta (kompjuter, printer etj.) për shkrimet e tij. Punën ai e kryen në ambientet e shtëpisë së tij dhe orarin e punës e ka të papërcaktuar. Shkrimet e tij mund të jenë në forma të ndryshme (si libër apo artikuj të ndryshëm). Për çdo shkrim të tij, ai merr pagesën përkatëse, sipas marrëveshjes që bën me shtëpinë botuese apo redaksinë që ai zgjedh vetë. Ky shkrimtar në këtë rast është kontraktor i pavarur, për arsye se e gjithë puna bazohet në krijimtarinë e tij të pavarur dhe nuk kontrollohet apo drejtohet nga një shtëpi botuese apo redaksi, dhe në këtë mënyrë është ai që mbart dhe riskun e të ardhurave të tij.
Shembulli 5
Arditi, një hidraulik me përvojë, ka rënë dakord me një kompani për të kryer shërbime me kohë të plotë në kantieret e ndërtimit si i vetëpunësuar. Ai përdor mjetet e tij personale dhe kryen punën sipas rendit dhe specifikimeve të përcaktuara nga kompania. Kompania furnizon të gjitha materialet, kryen inspektime të shpeshta të punës së tij, e paguan atë sipas sasisë së punës së kryer. Arditi nuk ka një vendndodhje biznesi dhe nuk kërkon të ofrojë shërbime të ngjashme për palë të tjera. Të dyja palët mund ta ndërpresin marrëdhënien në çdo kohë. Arditi në këtë rast është qartësisht një punonjës i kompanisë, pasi e gjithë puna e tij drejtohet nga kompania, ai nuk mbart risk financiar. Pavarësisht se ai përdor mjetet e tij personale në kryerjen e punës dhe faturon kompaninë për çdo shërbim të tij, është kompania ajo që i siguron atij punën, kontrollon cilësinë e saj, furnizon Arditin me të gjitha materialet e nevojshme dhe është e vetmja kompani me të cilën Arditi operon.”.

