Qeveria ka hedhur në konsultim publik projektvendimin “Për miratimin e kritereve, procedurave dhe afateve për zbatimin e grumbullimit të diferencuar të mbetjeve për të gjitha rrymat e mbetjeve”, një akt nënligjor që synon të rregullojë mënyrën se si do të ndahen dhe trajtohen mbetjet në Shqipëri në vitet e ardhshme.
Projektvendimi vjen në zbatim të ligjit nr. 57/2025 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe synon të krijojë një kuadër të qartë për ndarjen e mbetjeve që në burim, duke rritur riciklimin dhe duke ulur sasinë e mbetjeve që përfundojnë në landfill. Sipas relacionit shoqërues, ky akt rregullator është hartuar në përputhje me parimet e ekonomisë qarkulluese dhe synon mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit të qytetarëve, duke reduktuar ndotjen dhe duke rritur rikuperimin e materialeve të riciklueshme.
Projektvendimi parashikon që krijuesit dhe zotëruesit e mbetjeve, përfshirë qytetarët, bizneset dhe institucionet, të ndajnë mbetjet që në momentin e prodhimit të tyre. Mbetjet do të grumbullohen në mënyrë të diferencuar sipas kategorive të materialeve si letër dhe karton, plastikë, qelq, metale, mbetje bio, dru, tekstile, ambalazhe, pajisje elektrike dhe elektronike, bateri dhe mbetje të baterive, si dhe mbetje të vëllimshme si mobilie apo dyshekë.
Këto kategori përfshihen në konceptin e mbetjeve bashkiake dhe përfshijnë si mbetjet shtëpiake ashtu edhe mbetjet nga aktivitete të tjera që kanë natyrë dhe përbërje të ngjashme me to. Ndarja e mbetjeve në burim synon të parandalojë përzierjen e fraksioneve të ndryshme dhe të rrisë cilësinë e materialeve që mund të ripërdoren ose riciklohen më tej në proceset industriale.
Sipas projektvendimit, grumbullimi i diferencuar do të kryhet përmes kontejnerëve dhe pajisjeve të posaçme që duhet të plotësojnë një sërë kriteresh teknike dhe mjedisore. Këta kontejnerë duhet të jenë të përshtatshëm dhe të mbyllur për të shmangur rrjedhjet dhe shpërndarjen e mbetjeve në mjedis, të rezistojnë ndaj dëmtimeve mekanike dhe kushteve atmosferike, si dhe të jenë të lehtë për t’u pastruar dhe dezinfektuar.
Në të njëjtën kohë, kontejnerët duhet të jenë të identifikueshëm përmes ngjyrave specifike për çdo kategori mbetjesh sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe të pajisen me etiketa të dukshme që tregojnë qartë llojin e mbetjeve që mund të depozitohen në secilin prej tyre. Kjo qasje synon të standardizojë sistemin e ndarjes së mbetjeve dhe të përmirësojë cilësinë e materialeve që përfundojnë në proceset e riciklimit.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore do të kenë rol kyç në organizimin dhe funksionimin e sistemit të grumbullimit të diferencuar. Ato do të përcaktojnë pikat e grumbullimit të mbetjeve, grafikun dhe frekuencën e mbledhjes, mënyrën e grumbullimit sipas zonave dhe densitetit të popullsisë, si dhe operatorët ose kontraktorët që do të përfshihen në ofrimin e këtij shërbimi.
Operatorët që merren me grumbullimin e mbetjeve dhe nuk janë të pajisur me leje mjedisi të tipit B ose licencë përkatëse do të duhet të raportojnë çdo vit pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për sasitë dhe llojet e mbetjeve të grumbulluara në mënyrë të diferencuar. Nga ana tjetër, bashkitë do të raportojnë pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit deri më 28 shkurt të çdo viti mbi sasinë dhe llojin e mbetjeve të mbledhura, mënyrën dhe frekuencën e grumbullimit, kontraktorët e përfshirë, destinacionin e mbetjeve dhe problematikat e konstatuara gjatë zbatimit të sistemit.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të analizojë këto të dhëna dhe do të përgatisë raportin vjetor për mbetjet në nivel kombëtar deri më 31 maj të çdo viti.
Projektvendimi përcakton edhe objektiva afatgjata për riciklimin dhe ripërdorimin e mbetjeve, në përputhje me politikat e ekonomisë qarkulluese dhe me standardet e Bashkimit Evropian. Sipas draftit, deri në vitin 2030 duhet të riciklohen të paktën 65 për qind e mbetjeve të ambalazheve, ndërsa deri në vitin 2035 kjo përqindje duhet të arrijë në 70 për qind.
Në të njëjtën kohë janë vendosur objektiva minimale riciklimi për materiale të ndryshme, ku deri në vitin 2035 riciklimi i plastikës duhet të arrijë të paktën 55 për qind, i drurit 30 për qind, i metaleve me ngjyra 80 për qind, i aluminit 60 për qind, i qelqit 75 për qind dhe i letrës apo kartonit 85 për qind.
Për mbetjet bashkiake parashikohet që përgatitja për ripërdorim dhe riciklim të arrijë të paktën 25 për qind deri në vitin 2030, 50 për qind deri në vitin 2033, 55 për qind deri në vitin 2035, 60 për qind deri në vitin 2040 dhe 65 për qind deri në vitin 2045. Këto objektiva synojnë të reduktojnë ndjeshëm sasinë e mbetjeve që përfundojnë në landfill dhe të rrisin përdorimin e materialeve të riciklueshme në ekonomi.
Projektvendimi synon gjithashtu përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivën evropiane 2008/98/EC “Për mbetjet”, një nga aktet bazë të Bashkimit Evropian në këtë fushë. Sipas relacionit shoqërues, zbatimi i këtij akti pritet të sjellë përfitime jo vetëm për mjedisin, por edhe për ekonominë, duke nxitur zhvillimin e sektorit të riciklimit, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e ndërgjegjësimit për ndarjen e mbetjeve në burim.
Projektvendimi nuk parashikon kosto shtesë për buxhetin e shtetit dhe do të zëvendësojë vendimin e mëparshëm të Këshillit të Ministrave të vitit 2014 për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në burim. /ekofin.al

