Zbardhen koeficientët e rinj të rivlerësimit të pagave për efekt të llogaritjes së pensionit. Projektvendimi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pritet të miratohet brenda këtij muaji për t’u zyrtarizuar në 1 Korrik.
Ndryshe nga një vit më parë, aktualizimi i pagave para ‘94 do të bëhet me koeficientin 12.257, duke u reflektuar në këtë mënyrë në nivelin e pagave për 83 profesione. Pas vitit 1994, siç edhe shihet në tabelë koeficientët janë të ndryshëm, duke pësuar rënie nga viti në vit. Për vitin 1995, koeficienti është 9.864, për pagat e 1996 është 7.653, i njëjti aplikohet edhe për pagat e një viti më vonë. Ndërsa për vitin 1998, pagat indeksohen me 6.395, për të vijuar me vitin 1999, ku koeficienti është 5.190 e kështu me radhë deri në vitin 2022. Për dy vitet e fundit, pra, për 2023 dhe 2024 nuk aplikohet formula e indeksimit, por pagat referohen aq sa janë.
Rivlerësimi i pagave, mbi bazën e të cilave janë derdhur kontributet iu jep mundësi të gjithë atyre që dalin rishtazi në pension të përfitojnë më tepër. Kjo, pasi krahas portofolit kontributiv, peshë ka edhe paga mbi bazën e së cilës janë derdhur kontributet. Sa më e lartë të jetë baza e vlerësueshme për efekt të llogaritjes së pensionit, aq më i lartë do të jetë edhe përfitimi mujor.
Për ta bërë më të thjeshtë, dikush që ka punuar në metalurgji paga për efekt të llogaritjes së pensionit nuk do të jetë 3392 lekë, por 41 575 lekë (3392 lekë X 12.257). Ose dikush që ka punuar apo është marrë me tregti e që ka pasur një pagë 2740 lekë në muaj, baza e vlerësueshme për efekt pensioni këtë vit do të jetë 33 584 lekë.

