Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) ka njoftuar një investim prej 50 milionë eurosh në një obligacion të zakonshëm të pasiguruar të emetuar nga GEK TERNA S.A., kompania mëmë e grupit GEK TERNA në Greqi. Obligacioni, me një vlerë totale prej 500 milionë euro dhe afat shtatëvjeçar, do të listohen në Bursën e Athinës.
Financim për projekte në energji dhe infrastrukturë
Pjesëmarrja e BERZH do të mbështesë zhvillimin e projekteve të GEK TERNA në fusha strategjike si gjenerimi i energjisë së rinovueshme, sistemet e ruajtjes së energjisë me bateri, infrastruktura sociale, furnizimi me ujë dhe trajtimi i ujërave të ndotura, në vende të ndryshme të rajonit përfshirë Greqinë, Rumaninë, Shqipërinë dhe Kosovën, njofton BERZH.
Të ardhurat e përgjithshme nga obligacioni do të përdoren për të financuar aktivitetet e biznesit të kompanisë, përfshirë sektorët e infrastrukturës dhe energjisë, si dhe për të rifinancuar borxhin ekzistues të saj dhe të filialeve.
Termocentrali i Roskovecit dhe nevoja për financim
Në partneritet me kompaninë vendase Gener 2, GEK Terna me bazë në Greqi dhe DEPA Commercial po përgatiten të ndërtojnë termocentralin e parë me gaz në Shqipëri. Aktualisht projekti është në fazën e gjetje së financimit. Emetimi i obligacionit pritet të gjenerojë të ardhura edhe për projektin në Shqipëri.
Konglomerati grek GEK Terna dhe furnizuesi, importuesi dhe tregtari shtetëror i gazit DEPA Commercial synojnë të ndërtojnë termocentralin e parë me gaz në Shqipëri, bashkë me Gener 2.
Në fund të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave, miratoi projektin dhe përcaktoi një afat tre-vjeçar për përfundimin. Vendndodhja e impiantit të gazit është në bashkinë e Roskovecit në Fier. Qarku i Fierit tërheq shumicën e projekteve të energjisë diellore në vend.
Impianti i gazit raportohet të ketë 147 MW në kapacitet. Në fazën aktuale të zhvillimit të projektit, Fier Thermoelectric, sipërmarrja e përbashkët, po kërkon financim, ndonëse kostoja e këtij investimi ende nuk dihet saktësisht. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

