Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ka ardhur koha të rishihen me themel librat themeltarë të shtetit të së drejtës, ndërsa solli në vëmendje punën që po bëhet me Kodin e ri Penal.
Gjatë prezantimit të Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, Rama u shpreh se “duhet të vijojmë me përmirësimin e standardeve”.
“Kjo materializohet në punën e madhe që e pret Ministrinë e Drejtësisë për t’i dhënë formën përfundimtare versionit përfundimtar që qeveria do të çojë në parlament për Kodin Penal, për Kodin e Procedurës dhe për Kodin Civil po ashtu. Janë libra themeltar të një sistemi drejtësie që u ka ardhur koha të rishikohen me themel”, shtoi ai.
Në këtë drejtim, Rama vlerësoi punën e Ulsi Manjës në koordinimin e këtij procesi dhe garantimin e një hapësire ku faktikisht qeveria është thjesht njëra nga shumë palët, ndërkohë që shkruesit e draftit të Kodit janë profesorë dhe ekspertë të nderuar të së drejtës penale.
Kryeministri, gjithashtu, nënvizoi rëndësinë e garantimit dhe konsolidimit të pavarësisë së sistemit gjyqësor, ndërsa solli në vëmendje “vendimin historik të pushtetit ekzekutiv për të mbajtur duart larg nga vendimmarrjet e prokurorëve dhe gjykatësve”.
Rama u shpreh se është shumë e rëndësishme që në të gjithë përditshmërinë e punës së kësaj ministrie, të mos humbë nga vëmendja thelbi i misionit në raport me drejtësinë.
“Kjo është të garantojmë dhe konsolidojmë pavarësinë e sistemit tonë gjyqësor si një pushtet kushtetues i pavarur nga ekzekutivi në letër, por vetëm prej shumë pak vitesh i pavarur edhe në realitet”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “kjo është një pavarësi që është larg së qeni e garantuar përgjithmonë dhe që jemi ne pikërisht që duhet ta garantojmë dhe konsolidojmë në këtë fazë”.
“Kjo arrihet duke këmbëngulur në atë vendimin historik që kemi marrë për të mbajtur duart larg vendimmarrjeve të prokurorëve dhe gjykatësve. Është fakt që ne nuk kemi hyrë në asnjë rast dhe për asnjë rast në përmbajtjen e një çështjeje me të cilën është marrë drejtësia dhe nuk duam ta bëjmë këtë dhe nuk do ta bëjmë këtë as sot dhe as nesër”, tha Rama.
Aq më tepër, vijoi kryeministri, “në rastet kur drejtësia nuk e ka thënë deri në fund fjalën e vet.
“Unë e besoj që kjo rikujtesë është shumë e rëndësishme për të gjithë ju edhe për pjesën e drejtimit politik të ministrisë, por edhe për pjesën e shërbimit civil të ministrisë. Ky është një mision i madh kombëtar që do të bëjë në fund fare edhe diferencën. A do të jetë Shqipëria një vend anëtar i BE-së me një drejtësi të pavarur si në çdo vend të BE-së, të garantuar njëherë e mirë, apo do të bjerë Shqipëria në tundimin e kthimit mbrapa duke vënë në rrezik edhe vetë anëtarësimin në BE”, shtoi Rama.
Rama theksoi se largimi i duarve të pushtetit ekzekutiv nga çdo proces gjykimi, seleksionimi, përzgjedhje, promovimi dhe shkarkimi të prokurorëve dhe gjykatësve është një premisë e domosdoshme për të garantuar një drejtësi funksionale, demokratike dhe të pavarur për të ardhmen e vendit.

