Qeveria shqiptare ka miratuar një marrëveshje kuadër historike me Izraelin, që synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit përmes transferimit të teknologjisë, montimit dhe integrimit të sistemeve moderne në territorin shqiptar. Ekofin.al ka konsultuar vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 496, datë 10 shtator 2025, i cili parashikon një bashkëpunim të ngushtë mes Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë (AMOD) dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit (IMOD), duke e ngritur partneritetin dypalësh në një nivel të ri strategjik.
Çfarë parashikon marrëveshja?
Në bazë të saj, në Shqipëri do të realizohet për herë të parë montimi dhe integrimi i disa prej sistemeve më moderne të mbrojtjes që ofron industria izraelite:
• ATMOS – Obuz lëvizës 155 mm, kalibër 52, një nga sistemet më të avancuara të artilerisë vetëkomanduese.
• SPEAR – Sistem mortaje i montuar 120 mm.
• Kuadkopterë taktikë (Thor ISR dhe Magni-x Systems), që shërbejnë për zbulim, mbikëqyrje dhe operacione taktike.
Këto pajisje nuk do të importohen të gatshme, por do të montohen në Shqipëri nga Shoqëria shtetërore e mbrojtjes “Kayo sh.a.”, në bashkëpunim me gjigantin izraelit Elbit Systems. Përjashtim bëjnë vetëm dhjetë kuadkopterët e parë, dronët, të cilët do të dorëzohen të gatshëm për qëllime trajnimi.
Përfitimet për Shqipërinë
Ky është një hap i madh për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare. Për herë të parë, vendi ynë bëhet pjesë e një projekti që nuk kufizohet vetëm në blerjen e pajisjeve ushtarake, por edhe në montimin, integrimin dhe trajnimin e personelit brenda vendit.
Marrëveshja parashikon gjithashtu krijimin e një Komiteti të Monitorimit shqiptaro-izraelit, që do të mbikëqyrë zbatimin e saj dhe do të propozojë nisma të reja bashkëpunimi industrial në të ardhmen.
Dimensioni strategjik
Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes i thanë ekofin.al se kjo marrëveshje është një partneritet strategjik afatgjatë, që jo vetëm përforcon kapacitetet e ushtrisë shqiptare, por edhe hap rrugën për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend.
Nga ana tjetër, Izraeli përfiton duke zgjeruar praninë e tij në rajonin e Ballkanit, një zonë me rëndësi të madhe gjeopolitike.
Përdorim ekskluziv nga Shqipëria
Marrëveshja përcakton qartë se të gjitha sistemet e marra do të jenë përdorim ekskluziv i Forcave të Armatosura shqiptare dhe nuk mund të transferohen apo shiten tek palë të treta pa miratimin e Izraelit. Kjo siguron se teknologjia e avancuar do të shërbejë vetëm për nevojat e sigurisë kombëtare të Shqipërisë.
Një epokë e re për mbrojtjen
Me këtë marrëveshje, Shqipëria shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve të saj ushtarake dhe vendosjes në një tjetër nivel të marrëdhënieve me një nga vendet me përvojën më të madhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ajo shihet si një lëvizje që do të ndikojë jo vetëm në modernizimin e ushtrisë, por edhe në pozicionimin strategjik të vendit në NATO dhe rajon. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

