Plazhet bosh dhe çmimet e larta kanë qenë në qendër të vëmendjes këtë verë në Itali. Shoqatat e industrisë raportojnë një rënie të ndjeshme të vizitorëve, por menaxherët dhe shoqatat ndahen në mendime mbi arsyet reale.
Grupet e industrisë vlerësojnë se numri i vizitorëve ka rënë deri në 30% krahasuar me verën e kaluar. Megjithatë, sipas operatorëve, situata është më komplekse sesa tregojnë shifrat.
Antonello Chiappini, menaxher i klubit të plazhit Molto në Ladispoli, e pranon rënien, por thekson se nuk është një fenomen i ri. “Që pas pandemisë, kemi vënë re një trend të ri: turizmi është më i lartë gjatë fundjavës krahasuar me ditët e javës,” tha ai për Euronews.
“Njerëzit nuk marrin më shtëpi me qira për një ose dy muaj, si dikur. Nuk janë tarifat e klubeve të plazhit problemi, por çmimet e qirave që janë rritur. Dhe megjithëse të ardhurat gjatë fundjavës janë më të larta, ato nuk e kompensojnë humbjen gjatë javës.”
Edhe shoqata të tjera, si Federbalneari, ndajnë të njëjtin mendim. Sipas tyre, problemi nuk lidhet me rritjen e tarifave. Që nga viti 2012, rritja mesatare ka qenë rreth 20%, e konsideruar modeste krahasuar me inflacionin e përgjithshëm pas COVID-it.
Chiappini shton gjithashtu se tarifat në biznesin e tij kanë mbetur të pandryshuara që prej vitit 2022. “Një çadër me dy shezlongë kushton 25 euro në ditë. Një çadër me një shezlong kushton 18 euro. Mendoj se jemi më afër me klubet e tjera të plazhit.”
Për klientët e rregullt, kjo qëndrueshmëri bën diferencën.
“Këtu tarifat kanë mbetur të njëjtat, ose të paktën mjaft të moderuara,” thotë një grua. “Këtu çmimet nuk kanë ndryshuar krahasuar me vitet e kaluara. Por e di që në disa klube të tjera janë rritur ndjeshëm, dhe kjo është bezdisëse,” shtoi një tjetër klient.
Megjithatë, përtej rasteve të veçanta, debati është më i gjerë. Tarifat nuk janë të rregulluara dhe koncesionet private të dhëna pa afat kohor fajësohen nga disa shoqata si faktor që mban çmimet lart.
Ky është një problem ende i pazgjidhur që vazhdon të ushqejë përplasjen e hershme mes Romës dhe Brukselit mbi zbatimin e direktivës Bolkestein./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

