Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për zjarret masive që prekën vendin tonë ditët e fundit.
Zjarrfikësit, ushtarët dhe policët ndodhen në terren prej ditësh për të shuar flakët dhe evakuuar banorët.
Kreu i qeverisë, ndërsa i quan kriminelë autorët e zjarrvënieve, thekson se ata duhet të marrin dënimin maksimal për dëmin që kanë shkaktuar.
Policia e Shtetit ditë natë në këmbë për identifikim dhe kapjen e zjarrvënësve, në një sezon me një rritje të numrit të tyre po edhe me numrin më të madh të kapur nga forcat e rendit
Gjatë muajve qershor – korrik dhe deri më 14 gusht:
- 137 autorë të zjarrvënieve të identifikuar
- 46 të arrestuar
- 91 të proceduar penalisht
Forcat Kombëtare të Sigurisë, “Shqiponja”, patrullat e përgjithshme dhe forcat operacionale, nën drejtimin e drejtorive vendore dhe Drejtorisë së Përgjithshme, do të vijojnë në terren dhe me ndihmën e teknologjisë do të mundësojnë dorëzimin para drejtësisë të këtyre kriminelëve që meritojnë ndëshkime maksimale”, shkruan Rama.
Ekofin konsultoi çfarë parashikon aktualisht Kodi Penal për zjarrvënien e qëllimshme. Në nenin 151 të kodit, dënimi varion, duke nisur nga gjoba e deri në 15 vite burg, në varësi të dëmeve të sjella nga zjarri.
Neni 151
Shkatërrimi i pronës me zjarr
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me zjarr dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Kur nga vepra penale janë shkaktuar pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.
Kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

