ProCredit Bank Albania vijon të forcojë pozicionin e saj si një nga institucionet financiare më inovative në vend, duke përmbyllur me sukses një tjetër bashkëpunim strategjik në kuadër të zhvillimeve të Open Banking.
Nëpërmjet një partneriteti të suksesshëm me Union Financiar Tiranë (UFT), ProCredit ka përfunduar me sukses implementimin e Open Banking, duke i hapur rrugë një përvoje më të avancuar dhe të lehtësuar për përdoruesit e shërbimeve financiare. Ky bashkëpunim u mundëson klientëve të kenë më shumë zgjedhje, fleksibilitet dhe akses më të shpejtë në menaxhimin e financave të tyre përmes platformave të licencuara.
Përmes këtij bashkëpunimi, ProCredit hedh hapin e rradhës për të forcuar ndërlidhjen mes institucioneve financiare, duke kontribuar në rritjen e konkurrencës dhe transparencës në tregun financiar shqiptar.
Ky nuk është bashkëpunimi i parë i bankës në fushën e Open Banking. Më herët, ProCredit ka realizuar një partneritet të ngjashëm edhe me EasyPay, duke treguar një angazhim të qëndrueshëm ndaj përfshirjes në ekosistemin digjital financiar në Shqipëri.
Gjithashtu, pak ditë më parë, ProCredit shënoi një tjetër risi për tregun bankar shqiptar, duke u bërë banka e parë në vend që ofron pagesat me Apple Pay, duke sjellë më shumë lehtësi, siguri dhe komoditet për klientët e saj.
Duke qenë një bankë e orientuar fort drejt digjitalizimit, ProCredit po dëshmon se investimi në teknologji dhe partneritete strategjike është çelësi për t’u përgjigjur në mënyrë të suksesshme kërkesave në rritje të klientëve dhe për të kontribuar në modernizimin e sektorit bankar në Shqipëri.

