Sot në mëngjes, në Prokurorinë Themelore të Podgoricës u paraqit në cilësinë e të paditurit, zëvendëskryeministri dhe ministri i zhvillimit ekonomik të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj. Ai po hetohet mbi bazën e kallëzimit penal të ngritur nga presidenti Jakov Milatoviç, i cili pretendon se Gjeloshaj e ka kërcënuar përmes komunikimeve private pas vendimit të kreut të shtetit për kthimin në Kuvend të ligjit për tatimin mbi pronat.
Sipas mediave malazeze, Gjeloshaj i kishte dërguar Milatović-it mesazhe ku e akuzonte se po ndihmonte strukturat klienteliste të lidhura me koncesionin e kompanisë publike “Plantaže” dhe e paralajmërinte për “reagimin e shqiptarëve në çdo nivel”, duke shtuar se do të “marrë përgjigjen që meriton”. Këto fjali, sipas presidentit, përmbajnë mesazhe kërcënuese dhe etnike.
Nga ana e tij, Nik Gjeloshaj ka mohuar kategorikisht qëllime të tilla, duke e konsideruar kallëzimin si një “manovër politike” dhe si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë e presidentit për bllokimin e një ligji që prek mbi 22 mijë fermerë dhe pronarë të tokave bujqësore.
Çështja ka ngjallur reagime të forta politike dhe publike në Mal të Zi, pasi ndodhet në kryqëzimin e interesave etnike, ekonomike dhe ligjore. Mosmarrëveshja në fjalë shënon thellimin e ndasive në brendësi të koalicionit qeverisës dhe paraqet një rrezik serioz për stabilitetin institucional të vendit.

