Zëvendeskryeministrja, njëherësh Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, njoftoi se duke nisur nga sot, Inspektorati i Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit, me mbështetjen e policisë do të nisin veprimin për lirimin e hapësirave publike në akset kombëtare, pasi iu ishte lënë afat bizneseve deri më 31 korrik për lirim vullnetar.
Balluku tha se përgjatë 8 ditëve të fundit u realizua një fushatë këshillimore nga ARRSH dhe IKMT, duke treguar edhe raste konkrete të bashkëpunimit të subjekteve. “Mjafton t’ju tregoj një rast në aksin rrugor Kombinat-Plepa, ku subjekti ka ndërmarrë tërheqjen dhe respektimin e distancës nga trupi i aksit kombëtar, si dhe sistemimin estetik të zonës ku operon. Ky është një shembull i mirë për t’u ndjekur kudo. Gjithashtu, gjej rastin të përgëzoj të gjithë ato subjekte që operojnë në aksin nga Gjirokastra në Levan, pasi kam qenë së bashku për një inspektim atje me inxhinierët e ARRSH-së dhe inspektorët e IKMT-së dhe nuk kemi evidentuar asnjë shkelje në këtë territor”, tha Balluku.
“Bëjmë me dije se nga ky moment IKMT, mbështetur nga Policia e Shtetit, do të ndërmarrë masa konkrete për respektimin e distancave nga akset kombëtare. Çka po ndodh sot në territorin e Shqipërisë, nuk është një aksion kundër tendave, ashtu siç thuhet, është një reformë e thellë për lirimin e hapësirave publike dhe respektimin e rregullave dhe ligjeve të mbrojtjes së territorit në Republikën e Shqipërisë. Është një reformë që nuk lë jashtë vëmendjes as tendat, as oborret e përbashkëta të pallateve të zaptuara e të kthyera në parkingje dhe as TEC-et e ndërtuara në mënyrë të paligjshme në territoret e vendburimeve shqiptare, pavarësisht mohimit qesharak të ekzistencës së tyre apo mbrojtjes akoma më qesharake nga segmente të paguara për të goditur të mirën publike”.
Balluku falënderoi qytetarët për ata që e quajti bashkëpunim të shkëlqyer gjatë gjithë kësaj periudhe dhe i inkurajoi ata të vijojnë denoncimet. Ajo tha se për këtë është krijuar edhe platforma e dedikuar, “Hapësira Ime”.

