Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., do të jetë blerësi i energjisë elektrike i të gjithë prodhuesve me përparësi, që janë me mbështetje në formën e një marrëveshjeje të blerjes së energjisë (MBE) dhe do ta shpërndajë këtë energji direkt në tregun e organizuar.
Kjo është një ndër detyrat që Qeveria ka miratuar me vendimin e fundit për shoqërinë e re aksionare në zbatim të ligjit për energjinë e rinovueshme.
Shoqëria aksionare do të zotërohet 100% nga ministria përgjegjëse për energjinë, me kapital fillestar 50 000 000 lekë. Efektet financiare për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe MIE e transferon shumën pas regjistrimit në QKB.
Operatori i Energjisë së Rinovueshme, sh.a., do të ketë përgjegjësi kontraktore ndaj çdo prodhuesi me përparësi për mbulimin e pagesave. Gjithashtu do të menaxhojë fondin e mbështetjes së burimeve të rinovueshme, i cili përllogaritet dhe përdoret për të mbuluar kostot e skemave mbështetëse, si:
-Diferencat e pagueshme, ndërmjet çmimit të garantuar dhe çmimit të referencës për prodhuesit me përparësi, mbështetjen e dhënë në formën e një CfD-je dhe pagesave të prim-it për prodhuesit me përparësi, si dhe mbështetjen e dhënë në formën e kontratave për prim;
-Tarifat nxitëse për prodhuesit me përparësi, mbështetjen e dhënë në formën e MBE-ve;
kostot e përditshme operative dhe të mirëmbajtjes, aksesin në treg, kapitalin qarkullues dhe koston e sigurimit të rezervave për të siguruar likuiditetin financiar dhe aftësinë e pagesave të fondit të mbështetjes së rinovueshme në baza të vazhdueshme.
Shoqëria aksionare do të propozojë modelin e biznesit të tij, përfshirë planin ekonomik të veprimtarisë, formën e financimit të nevojshëm për të mundësuar ngritjen e strukturës organizative, teknike dhe financiare për kalimin në operim të tij.
Deri në momentin e kalimit në operim të shoqërisë aksionare, detyrat do të realizohen nga Furnizuesi i Tregut të Lirë, sh.a., ndërsa vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. /ekofin.al

