Në vitin 2023, janë regjistruar 1.285 aksidente rrugore, ku kanë rezultuar 1.731 persona të përfshirë në aksidente. Aksidentet në 86,4 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit dhe 13,6 % si pasojë e sjelljes së këmbësorëve.
Në shifrat e publikuara nga INSTAT, numri i aksidenteve rrugore në vitin 2023, shkaktuar nga drejtuesit e mjeteve me leje drejtimi 0-3 vjet ka rënë me 12,9 %, krahasuar me një vit më parë. Drejtuesit e mjeteve me mbi 9 vite leje drejtimi kanë shkaktuar 40,0 % të aksidenteve, ndjekur nga kategoria 6-9 vjet leje drejtimi që zë 18,8 %.

Gjatë vitit 2023 vdekshmëria në aksidente rrugore ka rezultuar në 14,9 për 100 aksidente.
Ndër të aksidentuarit (të vrarë dhe të plagosur) gjatë tre viteve të fundit, meshkujt zënë rreth 70 % të të aksidentuarve gjithsej.
Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 26,6 % të numrit të aksidenteve gjithsej.
Drejtuesit e mjeteve të moshës 25-34 vjec, shkaktojnë numrin më të lartë të aksidenteve, ku të aksidentuar janë më shumë meshkuj 71 % dhe 29 % femra. Megjithatë vihet re se janë meshkujt ata që zënë përqindjen më të lartë të të aksidentuarve për çdo grupmoshë të drejtuesit, duke lënë të kuptohet se drejtuesit meshkuj janë ata që kryejnë pjesën më të madhe të aksidenteve.

Në 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë ditës së Shtunë dhe të Diel me 194 aksidente secila duke zënë përkatësisht 15,1 % të aksidenteve gjithsej. Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur gjatë intervalit kohor 08:00 – 12:00, pra në orët e para të ditës, kur është edhe fluksi më i lartë i trafikut.
Në vitin 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur në rrugët urbane kryesore duke zënë 27,4 %, pasuar nga rrugët interurbane dytësore me 25,6 % të aksidenteve rrugore gjithsej.
Numri më i lartë i aksidenteve rrugore, edhe për vitin 2023, ka ndodhur në mot të thatë duke zënë 89,1 % të aksidenteve gjithsej. Për vitin 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore është shënuar gjatë orëve të ditës, duke zënë 65,4 % të aksidenteve gjithsej.
Numri më i lartë i aksidenteve në vitin 2023 ka ndodhur në qarkun e Tiranës duke zënë 42,6 % dhe në qarkun e Durrësit duke zënë 12,3 % të aksidenteve rrugore gjithsej. Qarku me numrin më të vogël të aksidenteve rrugore është Dibër me 2,0 % dhe Berat me 2,3 % të aksidenteve rrugore gjithsej. /ekofin.al

