Danimarka është gati të prezantojë taksën e parë të karbonit në botë, e aplikuar drejtpërdrejt në bujqësi dhe blegtori, përgjegjëse për një pjesë të konsiderueshme të emetimeve të karbonit të vendit.
Deri në fund të vitit, në fakt, parlamenti i Kopenhagës pritet të miratojë masën e re e cila do të vendosë një taksë për fermerët me 672 korona daneze, rreth 100 euro për secilën lopë. Taksa e re duhet të hyjë në fuqi në vitin 2030 dhe të rritet në 220 euro për kafshë pas pesë vitesh.
Nisma duket të jetë një reagim i ri i gjelbër pas protestave të forta në botën bujqësore europiane që u zhvilluan muajt e fundit dhe u nxitën pikërisht nga kufizimet e rrepta mjedisore të vendosura nga politika bujqësore e BE-së.
Në vazhdën e protestave, disa nga masat e kundërshtuara si përgjysmimi i agrokimikateve në bujqësi apo direktiva që për sa i përket emetimeve barazonte stalla dhe fermat me impiantet industriale, ishin pezulluar ose korrigjuar. Tani kjo nismë e re në një vend, Danimarkë, e cila është ndër prodhuesit dhe eksportuesit kryesorë të BE-së të qumështit dhe të mishit të viçit dhe derrit dhe në të cilin blegtoria është burimi kryesor i ndotjes.

