Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka konstatuar shkelje në një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Spitali Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan, pas monitorimit të tre kontratave të këtij institucioni. Si rezultat i verifikimeve, APP ka vendosur të propozojë masa disiplinore ndaj katër personave përgjegjës për mangësitë e konstatuara.
Sipas vendimit të datës 15 korrik 2026, monitorimi është kryer mbi kontrata të tipit “mall”, ndërsa hetimi administrativ është iniciuar pas një reklamimi nga një palë e tretë.
Nga verifikimet rezulton se autoriteti kontraktor nuk ka provuar se janë kryer kontrollet e nevojshme për të garantuar që malli i furnizuar ishte në përputhje me kërkesat e cilësisë dhe specifikimet teknike të përcaktuara në dokumentet e tenderit dhe kontratë. Po ashtu, APP evidenton se nuk është dokumentuar nëse është verifikuar deklarata e operatorit ekonomik lidhur me prodhuesin e mallrave, mbi bazën e së cilës kompania ishte shpallur fituese e procedurës së prokurimit.
Sipas APP-së, këto veprime bien ndesh me parashikimet e nenit 124 të Ligjit nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, si dhe me dispozitat e neneve 23 dhe 132 të të njëjtit ligj, që përcaktojnë detyrimet e autoriteteve kontraktore për verifikimin e dokumentacionit dhe monitorimin e zbatimit të kontratave.
Në përfundim të procesit të monitorimit, Agjencia e Prokurimit Publik ka vendosur të propozojë marrjen e masave disiplinore ndaj katër personave, për shkak të shkeljeve dhe mangësive të konstatuara gjatë administrimit të kontratave. /ekofin.al


