Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka përzgjedhur 36 ofrues të shërbimeve të pagesave për të ndihmuar në testimin e euros digjitale nëpërmjet një programi pilot njëvjeçar që do të nisë në vitin 2027. Ky përbën zhvillimin më të fundit në përpjekjet e Bashkimit Evropian për të krijuar një formë digjitale të parasë së bankës qendrore dhe për të ulur varësinë nga rrjetet e huaja të pagesave.
Banka Qendrore Evropiane e kaloi të martën projektin e euros digjitale në fazën e radhës operacionale, duke përzgjedhur 36 ofrues të shërbimeve të pagesave që do të ndihmojnë në testimin e monedhës së ardhshme përmes një programi pilot në shkallë të gjerë, i cili do të nisë në gjysmën e dytë të vitit 2027.
Sipas BQE-së, pjesëmarrësit u përzgjodhën nga më shumë se 50 aplikantë në të gjithë zonën e euros dhe do të punojnë së bashku me BQE-në dhe 19 banka qendrore kombëtare të vendeve të zonës euro, me përjashtim të Bullgarisë dhe Maltës, gjatë një procesi testimi 12-mujor.
Programi pilot synon të vlerësojë infrastrukturën teknike, proceset operacionale dhe përvojën e përdoruesve të euros digjitale. Ai do të mundësojë testimin e pagesave nga personi te personi dhe nga personi te biznesi, si në mjedise online, ashtu edhe offline, përpara se të merret ndonjë vendim për emetimin e monedhës.
Njoftimi e afron euron digjitale me fazën e testimit praktik me konsumatorët, tregtarët dhe ofruesit e pagesave, duke përbërë një nga etapat më të rëndësishme të projektit që prej nisjes së fazës përgatitore nga BQE-ja në fund të vitit 2023.
Mes ofruesve të përzgjedhur janë banka tradicionale, banka digjitale dhe kompani pagesash. Në program marrin pjesë disa prej institucioneve më të mëdha financiare Evropiane, përfshirë Deutsche Bank, UniCredit, Revolut, Adyen dhe Stripe.
Anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone, tha se niveli i interesit tregonte se industria e pagesave ishte e gatshme të ndihmonte në formësimin e fazës së ardhshme të projektit.
“Interesi i fortë i tregut për programin pilot tregon gatishmërinë e sektorit privat për t’u angazhuar në mënyrë aktive dhe për të përshpejtuar projektin e euros digjitale, me synim forcimin e sistemit Evropian të pagesave”, deklaroi Cipollone.
“Presim një angazhim edhe më të thellë, ndërsa punojmë dhe mësojmë së bashku me ofruesit Evropianë të shërbimeve të pagesave për zhvillimin e një euroje digjitale të sigurt, efikase dhe gjithëpërfshirëse”, përfundoi ai.
Miratimi ligjor mbetet etapa vendimtare
Programi pilot vjen ndërsa vazhdojnë negociatat ndërmjet Parlamentit Evropian, Këshillit dhe Komisionit Evropian mbi legjislacionin që do të krijojë bazën ligjore për euron digjitale.
BQE-ja ka theksuar vazhdimisht se nuk mund ta emetojë monedhën pa miratimin e legjislacionit nga institucionet ligjvënëse të Bashkimit Evropian.
Planifikimi aktual parashikon miratimin formal në vitin 2027, të pasuar nga përfundimi i programit pilot dhe një hedhje e mundshme në përdorim publik në vitin 2029. Megjithatë, këto afate mbeten të varura nga ecuria e procesit legjislativ.
Euroja digjitale do t’u ofrohej konsumatorëve pa pagesë, përmes ofruesve të mbikëqyrur të shërbimeve të pagesave. BQE-ja është përpjekur vazhdimisht të qetësojë shqetësimet se monedha e re mund të çojë në zhdukjen e parasë fizike ose në dobësimin e mbrojtjes së privatësisë.
Sipas planit aktual, euroja digjitale nuk do të paguante interes dhe zotërimet ka të ngjarë të kufizoheshin, me qëllim shmangien e daljeve të mëdha të depozitave nga bankat tregtare.
Në një intervistë ekskluzive për Euronews javën e kaluar, presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, mirëpriti vendimin e Parlamentit Evropian për të nisur negociatat mbi legjislacionin dhe ritheksoi se euroja digjitale synon të plotësojë paranë fizike, jo ta zëvendësojë atë.
“Paraja fizike dhe euroja digjitale do të jenë të dyja mjete ligjore pagese. Kjo do të thotë se askush, askund në Europë, nuk mund të thotë: ‘Më vjen keq, nuk i pranoj kartëmonedhat tuaja’”, tha Lagarde në emisionin “The Europe Conversation” me Maria Tadeo, duke konfirmuar se paraja fizike do të mbetet një pjesë e përhershme e sistemit monetar Evropian.
Euroja digjitale është konceptuar gjithashtu për të ulur varësinë e Europës nga ofruesit ndërkombëtarë të pagesave dhe për të forcuar autonominë strategjike të bllokut në këtë sektor.
Lagarde i tha Euronews se projekti lidhet po aq me forcimin e sovranitetit ekonomik të Europës, sa edhe me modernizimin e pagesave, duke vënë në dukje varësinë e vazhdueshme të bllokut nga rrjetet e pagesave në pronësi të huaj.
“Ne mbështetemi kryesisht te rrjetet amerikane, por ndonjëherë edhe te ato kineze, për organizimin e pagesave. Na duhet një zgjidhje Evropiane, sepse duam të jemi sovranë në shtëpinë tonë”, deklaroi Lagarde./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

