Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri u rrit me 8,6% gjatë vitit 2025, por shpërndarja e kontribuesve tregon se një pjesë e madhe e punonjësve vijon të paguhet dukshëm më pak se mesatarja. Financat dhe sigurimet mbeten sektori më i paguar, me një pagë gati trefish më të lartë se bujqësia.
Sipas publikimit “Tregu i Punës 2025” të INSTAT, paga mesatare mujore bruto arriti në 84.112 lekë, nga 77.485 lekë në vitin 2024. Rritja nominale ishte 6.627 lekë në muaj, ose 8,6% brenda një viti.
Të dhënat bazohen në listëpagesat e deklaruara për sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe tatimin mbi të ardhurat nga punësimi. Ato përfshijnë sektorët e ekonomisë dhe kontribuesit shqiptarë e të huaj për të cilët deklarohet pagë mujore bruto.
Mbi 12% marrin deri në pagën minimale
Pavarësisht rritjes së mesatares, 12,6% e kontribuesve të punësuar me pagë morën gjatë vitit 2025 një pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare prej 40.000 lekësh.
Kjo kategori është zvogëluar ndjeshëm krahasuar me vitin 2024, kur përfshinte 22,4% të kontribuesve. Rënia është me 9,8 pikë përqindje, duke e çuar peshën e punonjësve deri në pagën minimale në pothuajse gjysmën e nivelit të një viti më parë.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se një pjesë e madhe e punonjësve është zhvendosur në fashat menjëherë mbi minimumin. Në vitin 2025, 22,1% e kontribuesve merrnin nga 40.001 deri në 50.000 lekë, ndërsa 12,6% paguheshin nga 50.001 deri në 60.000 lekë.
Në total, 47,3% e kontribuesve, ose gati një në dy të punësuar me pagë, merrnin një pagë mesatare mujore bruto deri në 60.000 lekë. Kjo tregon se paga mesatare kombëtare prej 84 mijë lekësh nuk përfaqëson nivelin e pagës që merr pjesa më e madhe e punonjësve.
Kategoria më e madhe ishte ajo e pagave nga 60.001 deri në 95.000 lekë, me 25,3% të kontribuesve. Rreth 13,1% merrnin nga 95.001 deri në 120.000 lekë, ndërsa vetëm 14,4% kishin pagë mesatare bruto mbi 120.000 lekë.
Financat paguajnë gati trefish më shumë se bujqësia
Diferencat mes sektorëve mbeten të mëdha. Paga më e lartë mesatare gjatë vitit 2025 u regjistrua në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, me 160.772 lekë bruto në muaj, nga 150.616 lekë në vitin 2024.
Në vendin e dytë renditet sektori i informacionit dhe komunikacionit, ku paga mesatare arriti në 127.439 lekë, nga 117.357 lekë një vit më parë.
Edhe grupi që përfshin administratën publike, mbrojtjen, sigurimet shoqërore të detyrueshme, arsimin, shëndetësinë dhe aktivitetet e punës sociale e kaloi mesataren kombëtare, me një pagë prej 100.107 lekësh, nga 91.662 lekë në 2024.
Në anën tjetër, paga më e ulët u regjistrua në bujqësi, silvikulturë dhe peshkim, me vetëm 55.514 lekë bruto në muaj. Diferenca me sektorin financiar arrin në 105.258 lekë në muaj, ndërsa paga në financa është rreth 2,9 herë, ose gati trefish më e lartë se në bujqësi.
Bujqësia mbetet gjithashtu rreth 28.600 lekë nën mesataren kombëtare të pagave.
Ndërtimi shënon një nga rritjet më të forta
Në grupin që përfshin tregtinë, riparimin e automjeteve, transportin, magazinimin, akomodimin dhe shërbimin ushqimor, paga mesatare ishte 68.808 lekë, nga 62.383 lekë në vitin 2024.
Në ndërtim, paga arriti në 68.938 lekë, nga 61.540 lekë një vit më parë. Rritja ishte rreth 12%, një nga ritmet më të larta mes sektorëve të vrojtuar.
Paga në industri, ku përfshihen industria nxjerrëse dhe përpunuese, energjia, furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbetjeve, u rrit nga 66.312 lekë në 70.372 lekë.
Ndërsa në aktivitetet e pasurive të paluajtshme, aktivitetet profesionale, shkencore e teknike dhe shërbimet administrative, paga mesatare arriti në 89.981 lekë, duke kaluar mesataren kombëtare. /ekofin.al


