Tatimpaguesit që kanë marrë njoftim nga Administrata Tatimore se nuk plotësojnë kushtet për të përfituar nga Ligji i Faljes nuk e kanë të mbyllur mundësinë për të përfituar nga ky proces. Administrata Tatimore ka sqaruar se çdo subjekt apo individ që nuk është dakord me vlerësimin e bërë mund të kërkojë rishikimin e rastit të tij përmes një kërkese ose ankese zyrtare.
Sipas njoftimit, kërkesa duhet të paraqitet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse dhe të shoqërohet me dokumentacionin provues, në varësi të natyrës së rastit.
Administrata Tatimore garanton se çdo kërkesë do të shqyrtohet individualisht dhe, nëse konstatohet se plotësohen kushtet e përcaktuara në ligj, do të ndërmerren veprimet e nevojshme për reflektimin e përfitimeve që rrjedhin nga Ligji për fshirjen ose shuarjen e detyrimeve tatimore të papaguara.
Në rastet kur përjashtimi nga përfitimi i ligjit lidhet me procedime penale në fushën tatimore ose doganore, tatimpaguesit duhet të paraqesin dokumente që provojnë gjendjen e tyre ligjore, si vërtetime nga prokuroria, gjykata apo dokumente të tjera zyrtare të lëshuara nga autoritetet kompetente.
Ndërkohë, kur përjashtimi lidhet me ekzistencën e një vendimi gjyqësor të formës së prerë në favor të administratës tatimore për detyrimet tatimore, subjektet duhet të paraqesin vendimin përkatës ose dokumente të tjera që vërtetojnë se nuk ekziston një vendim i tillë.
Administrata Tatimore sqaron gjithashtu se me të njëjtën procedurë mund të paraqiten edhe kërkesat për heqje dorë nga e drejta e padisë ose ankimit, sipas parashikimeve të ligjit.

