Tregtia me pakicë në Shqipëri ka vijuar trendin pozitiv edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, duke reflektuar një rritje të konsumit dhe aktivitetit tregtar në vend. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë arriti në 115.6, duke shënuar një rritje prej 6.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Edhe në terma tremujorë, performanca mbetet pozitive. I përshtatur sezonalisht, volumi i shitjeve u rrit me 1.4% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2025, duke treguar se kërkesa e konsumatorëve ka vijuar të forcohet edhe në muajt e parë të këtij viti.
Një nga treguesit më domethënës është rritja e shitjeve edhe pa përfshirë tregtinë e hidrokarbureve. Në këtë segment, volumi i shitjeve u zgjerua me 6.5% në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar, çka tregon se zgjerimi i konsumit nuk është mbështetur vetëm nga karburantet, por edhe nga sektorë të tjerë të tregtisë.
Megjithatë, hidrokarburet mbeten një ndër motorët kryesorë të rritjes. Tregtia me pakicë e karburanteve në njësitë tregtare të specializuara regjistroi një rritje vjetore prej 7.5%, ndërsa në krahasim me tremujorin paraardhës shënoi zgjerim me 1.7%.

Sipas të dhënave të detajuara, grupi i artikujve jo-ushqimorë rezulton kontribuuesi më i madh në rritjen e përgjithshme të tregtisë me pakicë, duke shtuar 2.5 pikë përqindje në rezultatin total. Pas tij renditet tregtia e hidrokarbureve me 2.3 pikë përqindje dhe grupi i ushqimeve, pijeve dhe duhanit me 1.9 pikë përqindje.
Në nivel sektorësh, artikujt jo-ushqimorë regjistruan rritje vjetore prej 6.6%, ndërsa segmenti i ushqimeve, pijeve dhe duhanit u zgjerua me 6.3%. Këto shifra tregojnë një shpërndarje relativisht të balancuar të rritjes në pothuajse të gjitha kategoritë kryesore të konsumit.
Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2026 sugjerojnë se konsumi privat dhe aktiviteti tregtar vijojnë të mbështesin ekonominë shqiptare, me ritme rritjeje që mbeten më të larta se në shumë sektorë të tjerë të ekonomisë. Zgjerimi i shitjeve si në produktet bazë ashtu edhe në artikujt jo-ushqimorë sinjalizon një nivel më të lartë të kërkesës nga familjet dhe bizneset, duke krijuar një panoramë pozitive për ecurinë e tregtisë gjatë muajve në vijim./ekofin.al

