Nga Mirilda Tili
Gati gjysma e ndërmarrjeve shqiptare me mbi 10 të punësuar kanë investuar në inovacion gjatë tre viteve të fundit, një tregues që sinjalizon ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si bizneset po përpiqen të përballen me konkurrencën, mungesën e fuqisë punëtore dhe transformimin teknologjik.
Sipas raportit më të fundit të INSTAT për periudhën 2022-2024, 44.3% e ndërmarrjeve rezultojnë aktive në inovacion, nga 42.9% që ishte kjo përqindje në vrojtimin e mëparshëm. Rritja mund të duket modeste, por ekspertët e shohin si pjesë të një tendence më të gjerë globale.
“Ajo që ne po dëshmojmë është një fenomen global. Kompanitë janë nën presion për të investuar në inovacion, sepse duan të jenë më pak të varura nga individët dhe ta menaxhojnë më mirë qarkullimin e mundshëm të stafit. Përveç kësaj, proceset transparente dhe të matshme ndihmojnë në vendimmarrje dhe raportim ndaj palëve të interesuara”, shprehet për ekofin.al, Fation Losha, CEO i DigitSapiens.
Në fakt, të dhënat e INSTAT tregojnë se inovacioni nuk po mbetet më një koncept teorik, por po shndërrohet në faktor ekonomik. Ndërmarrjet aktive në inovacion gjeneruan 62.1% të shitjeve neto të bizneseve të vrojtuara në vitin 2024, nga 58% në periudhën pararendëse. Në të njëjtën kohë, ato përfaqësojnë 57.8% të totalit të punësimit, nga 53.5% që ishte më parë.
Kjo do të thotë se bizneset që investojnë në teknologji, procese të reja apo zhvillim produktesh po fitojnë gradualisht më shumë peshë në ekonomi.
Sektori më aktiv mbetet ai i informacionit dhe komunikacionit, ku 67.9% e ndërmarrjeve kanë raportuar aktivitete inovative. Pas tij renditen aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 55.1%. Sipas Loshës, kjo nuk është rastësi.
“Kompanitë që operojnë në fusha inovative, si teknologjia e informacionit dhe komunikimit, janë përballur me ndryshime të mëdha teknologjike, veçanërisht me adoptimin e inteligjencës artificiale dhe automatizimeve të avancuara. Kjo i ka detyruar të investojnë më shumë për të ruajtur konkurrueshmërinë”, shprehet ai.
Edhe brenda ekonomisë shqiptare vihet re një diferencë e qartë mes sektorëve. Shërbimet po ecin më shpejt drejt inovacionit sesa industria. Sipas ekspertit, arsyeja lidhet me fleksibilitetin që kanë bizneset e shërbimeve për të testuar dhe integruar teknologji të reja.
“Kompanitë e shërbimeve janë zakonisht biznese të mbështetura nga teknologjia. Ato kanë më shumë mundësi të modularizojnë proceset dhe të eksperimentojnë për të gjetur zgjidhjen optimale. Në industri, shumë procese mbrohen nga sekreti industrial, çka e bën më të vështirë përhapjen e praktikave të suksesshme”, argumenton Losha.
Një tjetër tregues domethënës është lidhja mes madhësisë së biznesit dhe inovacionit. Sipas INSTAT, 66.4% e ndërmarrjeve me mbi 250 të punësuar investojnë në inovacion, ndërsa për bizneset me 50-249 të punësuar kjo shifër zbret në 54.3%.
Kjo tregon se kompanitë më të mëdha kanë kapacitete më të mëdha financiare dhe njerëzore për të investuar në kërkim, zhvillim dhe transformim teknologjik.
Ndërkohë, bashkëpunimi po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Rreth 32.1% e ndërmarrjeve inovative kanë bashkëpunuar me kompani të tjera, organizata kërkimore apo institucione shkencore për realizimin e projekteve të reja, ndërsa 30.1% kanë investuar në pajisje, makineri apo programe teknologjike që nuk i kishin përdorur më parë.
Megjithatë, raporti evidenton edhe një paradoks. Ndërsa bizneset po investojnë gjithnjë e më shumë në inovacion, mbështetja publike mbetet shumë e kufizuar.
Vetëm 5.1% e ndërmarrjeve aktive në inovacion kanë përfituar mbështetje financiare nga fondet publike gjatë periudhës 2022-2024, ndërsa vetëm 7.1% kanë përdorur lehtësira fiskale për aktivitetet e kërkim-zhvillimit.
Sipas Loshës, problemi nuk lidhet domosdoshmërisht me mungesën e skemave, por me shpërndarjen e informacionit.
“Këtë vit kemi parë një trefishim të numrit të kompanive që kanë aplikuar pranë Agjencisë StartUp Albania. Kjo tregon se ekziston interes real për inovacion. Në të njëjtën kohë, ka mekanizma të tjerë mbështetës, si programet për ndërkombëtarizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që ofrohen nga AIDA. Sfida është që bizneset t’i gjejnë më lehtë këto mundësi”, thotë ai.
Për këtë arsye, Losha propozon krijimin e një portali të vetëm kombëtar, ku kompanitë të mund të aksesojnë të gjitha programet e financimit, grantet dhe skemat mbështetëse.
Një tjetër zhvillim pozitiv është rritja e interesit për kërkim-zhvillimin. Sipas INSTAT, 18.4% e ndërmarrjeve aktive në inovacion kanë zhvilluar aktivitete kërkimore dhe zhvillimore, nga 13.2% që ishte kjo përqindje në vrojtimin e mëparshëm.
Për ekspertët, kjo është ndoshta shifra më domethënëse e raportit, pasi tregon se bizneset shqiptare po fillojnë të investojnë jo vetëm në blerjen e teknologjisë, por edhe në krijimin e njohurive dhe produkteve të reja.
“Rritja e inovacionit po vërehet në të gjitha fushat sepse kompanitë kanë nevojë të jenë më konkurruese në peizazhin global. Kjo konkurrueshmëri vjen përmes operacioneve më të thjeshtuara, më transparente dhe më të matshme. Ne presim që investimet në inovacion të bëhen edhe më intensive në vitet e ardhshme, pasi bizneset shqiptare do të duhet të përshtaten me rregulloret europiane dhe standardet sektoriale të Bashkimit Europian”, përfundon Losha.
Të dhënat sugjerojnë se inovacioni po shndërrohet gradualisht nga një avantazh konkurrues në një domosdoshmëri biznesi. Megjithatë, që kjo tendencë të përshpejtohet, ekspertët vlerësojnë se nevojitet më shumë koordinim mes institucioneve, më shumë informacion për bizneset dhe një sistem mbështetjeje që ta kthejë inovacionin nga përjashtim në normë për ekonominë shqiptare. /ekofin.al


