Balfin vijon të zgjerojë investimet jashtë kufijve të Shqipërisë. Mediat amerikane kanë njoftuar së fundmi se një pronë zhvillimi në Bronx, New York, është blerë për 22.5 milionë dollarë, duke sinjalizuar zgjerimin e mëtejshëm të interesave shqiptare në tregjet ndërkombëtare të real estate.
Transaksioni është realizuar më 14 prill 2026 dhe përfshin një truall me sipërfaqe mbi 23 mijë m2, i pozicionuar në një nga arteriet kryesore të zonës, në adresat 680-690 East Fordham Road dhe 2500-2502 Cambreleng Avenue. Çmimi mesatar rezulton në rreth 964 dollarë për metër katror, një nivel që reflekton potencialin zhvillimor të zonës dhe projektin e miratuar për këtë pronë.
Blerja është kryer nga një partneritet mes Durgaj Properties, e përfaqësuar nga Paul Durgaj, dhe Balfin Americas, e drejtuar nga Martin Mane, pjesë e grupit të njohur shqiptar Balfin. Palët kanë krijuar një joint venture me pjesëmarrje të barabartë 50/50, duke kombinuar eksperiencën lokale në tregun amerikan me kapacitetin financiar dhe zhvillimor të një prej grupeve më të mëdha në rajon.
Sipas informacionit të bërë publik nga blerësit, prona përfaqëson ish-parkimin e DMV në Bronx dhe vjen me leje të miratuara për zhvillim rezidencial. Projekti parashikon ndërtimin e rreth 370 apartamenteve me qira, duke synuar të përfitojë nga kërkesa e lartë për banim në këtë zonë të New York-ut.
Ky investim shihet si një hap strategjik në zgjerimin e kapitalit shqiptar jashtë vendit, duke u fokusuar në tregje të konsoliduara dhe me potencial të qëndrueshëm kthimi. Në të njëjtën kohë, ai reflekton një trend në rritje të ndërkombëtarizimit të bizneseve shqiptare, të cilat po diversifikojnë portofolet e tyre përtej Ballkanit, duke hyrë në projekte zhvillimore me volum të lartë dhe ndikim afatgjatë.
Për Balfin Group, ky është një tjetër hap në konsolidimin e pranisë në tregjet ndërkombëtare, ndërsa për Durgaj Properties përforcon rolin si një aktor aktiv në zhvillimet urbane në SHBA. Projekti në Bronx pritet të kontribuojë jo vetëm në rritjen e vlerës së pronës, por edhe në zhvillimin urban të zonës, duke shtuar stokun e banesave në një treg ku oferta mbetet e kufizuar krahasuar me kërkesën./ekofin.al


