Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një sërë problematikash të rëndësishme në Bashkinë Vlorë, që prekin zbatimin e buxhetit, administrimin e të ardhurave vendore, menaxhimin e pasurive, procedurat e prokurimit, lejet e ndërtimit, funksionimin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe administrimin e hapësirave publike, veçanërisht të stacioneve të plazhit. Gjetjet e auditimit tregojnë se bashkia ka vijuar të përballet me mangësi strukturore në planifikim, ndjekje të dobët të debitorëve, parregullsi në zbatimin e legjislacionit sektorial dhe mungesë kontrolli efektiv në disa prej sektorëve më të ndjeshëm të administrimit vendor.
Një nga treguesit kryesorë të evidentuar nga auditimi lidhet me nivelin e ulët të realizimit të shpenzimeve buxhetore. Për vitin 2023, shpenzimet janë realizuar në masën 73.6%, ose 2.77 miliardë lekë, nga 3.76 miliardë lekë të planifikuara. Edhe në vitin 2024, ndonëse ka një përmirësim, realizimi mbetet i pjesshëm, në nivelin 78%, ose 3.42 miliardë lekë, nga 4.36 miliardë lekë të parashikuara. Sipas auditimit, kjo vjen si rezultat i planifikimit me rezerva të treguesve të buxhetit dhe jo mbi bazën e nevojave reale të bashkisë, si edhe për shkak të moskryerjes në kohë të procedurave për realizimin e shpenzimeve apo moszbatimit të kontratave sipas kushteve të parashikuara.
Në të njëjtën kohë, auditimi evidenton edhe detyrime të papaguara në fund të viteve ushtrimore. Në fund të vitit 2023, këto detyrime paraqiten në rreth 47.1 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2024 ato bien në 8.5 milionë lekë. Edhe pse ka një ulje të ndjeshme të detyrimeve të prapambetura, KLSH vëren se problematika mbetet e lidhur me faturat e palikujduara si për investime të financuara nga ministritë e linjës, ashtu edhe për mallra e shërbime të financuara nga të ardhurat e vetë bashkisë.
Të ardhurat vendore nën plan dhe debitorë në rritje
Një tjetër problematikë madhore që del nga auditimi lidhet me menaxhimin e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore. Për vitin 2023, Bashkia Vlorë ka realizuar vetëm 74% të planit, duke mbledhur 1.06 miliardë lekë nga 1.44 miliardë lekë të planifikuara. Në vitin 2024, realizimi është 75%, me 1.41 miliardë lekë të mbledhura nga 1.89 miliardë lekë të programuara. Pra, mosrealizimi i të ardhurave jo vetëm që vijon, por thellohet në vlerë absolute, duke arritur në afro 482 milionë lekë për vitin 2024.
KLSH nënvizon se një nga arsyet kryesore për këtë performancë të dobët është pesha e lartë e debitorëve që bashkia mbart ndër vite. Nga 652.8 milionë lekë debi në fund të vitit 2023, kjo shumë është rritur në 708.6 milionë lekë në fund të vitit 2024, ose rreth 8% më shumë. Pjesën më të madhe të këtij detyrimi e zë biznesi i vogël me 324.7 milionë lekë, i ndjekur nga abonentët familjarë me 216 milionë lekë, biznesi i madh me 152.9 milionë lekë dhe kategori të tjera si individë, institucione shtetërore dhe debitorë të mbartur nga auditime të mëparshme.
Auditimi ka evidentuar gjithashtu raste konkrete të mungesës së të ardhurave për shkak të mosfaturimit apo vlerësimit të pasaktë të detyrimeve. Sipas të dhënave të sistemit TAIS deri më 31 dhjetor 2023, 525 subjekte nuk janë faturuar për taksë ndërtese, duke sjellë mungesë të ardhurash mbi 1 milion lekë. Po ashtu, janë konstatuar subjekte me mospërputhje në sipërfaqet e pasurive, me pasojë mungesë të ardhurash prej 1.4 milion lekësh nga taksa e pasurisë.
Një prej çështjeve më të forta të ngritura nga KLSH lidhet me detyrimet e Shoqërisë UK Vlorë ndaj Bashkisë Vlorë. Sipas auditimit, deri në fund të vitit 2024, kjo shoqëri i detyrohet bashkisë 191.8 milionë lekë, të arkëtuara nga qytetarët, por të paderdhura në llogari të bashkisë. Kjo shumë përbën një të ardhur të munguar të konsiderueshme për financat vendore dhe njëkohësisht sinjalizon nevojën për rishikim të marrëveshjes së bashkëpunimit mes palëve.
Probleme janë evidentuar edhe në tarifën e depozitimit të mbetjeve urbane e të ngurta nga të tretët. Për vitin 2023, 24 subjekte rezultojnë debitorë për zërin e transportit sipas preventivit, me një shumë prej mbi 3 milionë lekësh të paarkëtuara.
Pasqyrat financiare me pasaktësi dhe pasuri pa tituj pronësie
Në hartimin e pasqyrave financiare të vitit 2024, auditimi evidenton mangësi që prekin saktësinë e informacionit kontabël dhe pasqyrimin real të aktiveve të bashkisë. Gjendja e llogarisë “Studime dhe projektime” përfaqëson 52 projekt-studime të pashpërndara sipas llojit të aktiveve materiale, ndërkohë që për një vlerë prej 9.8 milionë lekësh të klasifikuar si “Të tjera” nuk ka analizë të qartë mbi përmbajtjen e tyre. Për këto aktive nuk është llogaritur as amortizimi përkatës, duke ndikuar në pasqyrimin korrekt të aktiveve afatgjata materiale.
Po ashtu, në llogarinë “Rrugë, rrjete, vepra ujore”, KLSH konstaton se nuk është zbritur vlera e 35 artikujve të ujësjellës-kanalizimeve me vlerë 646.7 milionë lekë, të cilat sipas kuadrit ligjor duhej të ishin transferuar te Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë. Kjo sjell, sipas auditimit, shtrembërim të informacionit kontabël dhe të inventarit fizik të aktiveve.
Një tjetër gjetje me peshë lidhet me faktin se nga 179 objekte inventari të pasurive të paluajtshme, me vlerë historike 1.49 miliardë lekë, Bashkia Vlorë nuk posedon titull pronësie. Kjo do të thotë se një volum i konsiderueshëm asetesh është i pasiguruar juridikisht dhe kërkon procedura të plota për hipotekim dhe certifikim pranë ASHK-së.
Prokurime me mangësi, kualifikime të gabuara dhe dëm ekonomik
Në fushën e prokurimeve publike, KLSH evidenton shkelje dhe mangësi në disa drejtime. Në disa procedura investimesh publike, kontratat janë lidhur edhe pse objektet nuk ishin të pajisura me leje ndërtimi apo infrastrukturë, ndërkohë që për disa investime nuk rezulton të jetë kryer oponenca teknike, edhe pse kërkohej nga natyra e objektit.
Nga 41 procedura prokurimi të audituara, në 15 prej tyre janë konstatuar mangësi në kriteret e vendosura, të cilat nuk kanë qenë gjithmonë të argumentuara dhe të lidhura me tipologjinë e procedurës. KLSH vëren se këto kritere jo vetëm nuk kanë nxitur konkurrencën, por në disa raste janë bërë shkak për skualifikimin e operatorëve ekonomikë me oferta më të favorshme.
Në 14 procedura të tjera me vlerë të lartë, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë kualifikuar dhe shpallur fitues operatorë ekonomikë që nuk përmbushnin të gjitha kërkesat për kualifikim. Në 7 procedura me fond limit 196.3 milionë lekë, auditimi ka evidentuar mungesë efektiviteti, eficience dhe ekonomiciteti, pasi janë skualifikuar operatorë me oferta më të leverdishme dhe janë kualifikuar operatorë me oferta më të larta. Efekti financiar negativ i kësaj sjelljeje llogaritet në 12.27 milionë lekë.
Po ashtu, në 2 procedura prokurimi me vlerë kontrate 21.9 milionë lekë pa TVSH, punimet nuk kanë përfunduar sipas afateve kontraktuale, duke sjellë dëm në buxhetin e bashkisë prej 1.49 milionë lekësh. Në një rast tjetër, nuk është bërë i mundur konfiskimi i sigurimit të ofertës në vlerën 466,905 lekë pas tërheqjes së operatorit ekonomik nga lidhja e kontratës. Ndërsa në 17 kontrata zbatimi punimesh janë konstatuar punime të pakryera në vlerën 6.74 milionë lekë.
Lejet e ndërtimit dhe strehimi social, ndër gjetjet më të ndjeshme
Auditimi ngre shqetësime serioze edhe për mënyrën e miratimit të lejeve të ndërtimit dhe certifikatave të përdorimit. Në 13 raste, dokumentacioni teknik dhe shoqërues i projektit ndërtimor nuk ka qenë i plotë ose i saktë. Në 8 raste, objektet e miratuara nuk kanë respektuar kondicionet urbane, si distancat nga objektet kufitare, lartësinë maksimale të lejuar, numrin minimal të vendparkimeve, intensitetin maksimal të lejuar, sipërfaqen e katit të fundit apo vijën e ndërtimit.
Në 2 raste, bashkia nuk ka kërkuar apo respektuar mendimin e të gjitha autoriteteve që duhet të shprehen për lejet e ndërtimit. Në 3 raste të tjera, zhvilluesi ka nisur ndërtimin pa dokumentin e konfirmuar të fillimit të punimeve, ndërsa ndryshimet e projektit gjatë ndërtimit janë reflektuar para miratimit përkatës. Janë konstatuar edhe raste kur janë miratuar certifikata përdorimi për objekte me ndryshime nga projekti i miratuar.
Një prej gjetjeve me ndikim financiar më të lartë lidhet me kontributin ndaj fondit publik për strehim social. Në 4 raste, objektet e miratuara nuk kanë respektuar përcaktimet ligjore për këtë kontribut dhe nga subjektet përfituese nuk është bërë i mundur likuidimi i 3% në vlerën 41.5 milionë lekë. Në rekomandimet e tij, KLSH e çon detyrimin për arkëtim në 44.85 milionë lekë, duke kërkuar njoftimin e zhvilluesve dhe hartimin e akt-marrëveshjeve përkatëse.
IMT, me mangësi në gjoba, kallëzime dhe prishje objektesh
Edhe funksionimi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit paraqitet problematik sipas auditimit. Në 18 raste gjatë vitit 2023, vlera e gjobës nuk është llogaritur saktë sipas sipërfaqes së ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme. Në 3 raste, situata në terren ka qenë në mospërputhje me lejen e ndërtimit dhe deklaratën paraprake të punimeve. Në 28 raste nuk është vijuar ndërhyrja për ekzekutimin e vendimeve për prishjen e objekteve të kundërligjshme, ndërsa në 18 raste IMT nuk i është drejtuar Prokurorisë për ndërtimet pa leje.
Auditimi evidenton gjithashtu se për 166 raste në vitin 2024, për të cilat Kryeinspektori i IMT-së ka nxjerrë vendime prishjeje, nuk ka evidencë për realizimin e prishjeve. Në raste të tjera, nuk janë marrë masat për identifikimin e subjekteve, nuk janë nxjerrë në afat vendimet për gjobë apo prishje, ose nuk është aplikuar sanksioni në përputhje me shkeljen e konstatuar. Si rezultat, sipas KLSH-së, është shmangur vendosja e gjobave në vlerën 7.44 milionë lekë, si të ardhura të munguar për Bashkinë Vlorë.
Asete të painventarizuara dhe kaos në administrimin e plazheve
Në administrimin e pronës publike, auditimi gjen se asetet e transferuara në pronësi të Bashkisë Vlorë dhe njësive administrative nuk janë inventarizuar dhe as marrë në dorëzim siç duhet. Inventari i pasurive të paluajtshme rezulton i papërditësuar dhe i parakorduar me ASHK-në lidhur me statusin juridik dhe tjetërsimet e mundshme.
Problematike paraqitet edhe çështja e pyjeve dhe kullotave. Nga 323 ekonomi pyjore dhe kullosore të transferuara, me sipërfaqe totale 691,565.86 hektarë, Drejtoria e Pronave Publike dhe Menaxhimit të Aseteve nuk ka regjistruar asnjë ekonomi pyjore në ASHK dhe nuk ka kryer verifikime në terren për pasuritë që bashkia ka në inventar.
Një kapitull më vete në auditim zë administrimi i hapësirave publike për plazh gjatë sezoneve turistike 2023 dhe 2024. KLSH konstaton se procesi nuk është kryer në përputhje me legjislacionin në fuqi, pasi bashkia nuk ka dërguar në Këshillin Bashkiak projektvendim për miratimin e hartës së përgjithshme për plazhet e lejuara sipas koordinatave dhe nuk ka organizuar ndarjen proporcionale 70% plazh publik dhe 30% plazh privat.
Po ashtu, Grupi Teknik i Shqyrtimit të Aplikimeve ka bërë përzgjedhje subjektesh pa koordinim paraprak me Bashkinë Vlorë dhe AKB, ndërsa kontratat janë nënshkruar pa rakordim mbi hapësirën reale, dokumentacionin ligjor dhe respektimin e raportit publik-privat të sipërfaqeve. Për asnjë rast nuk administrohen akte marrëveshjeje, procesverbale dorëzimi apo akte kontrolli për sipërfaqet e shfrytëzuara.
Auditimi nxjerr në pah se 57 subjekte të përzgjedhura për stacionet e plazhit rezultojnë debitorë për taksa dhe tarifa vendore në vlerën 8 milionë lekë. Për 4 parcela, subjekte të ndryshme kanë shfrytëzuar hapësirë publike stacion plazhi pa miratim nga strukturat përkatëse. Për vitin 2023 janë evidentuar edhe diferenca mes sipërfaqeve të miratuara dhe atyre të faturuara: në 18 parcela është faturuar më shumë se sipërfaqja e miratuar, ndërsa në 17 parcela është faturuar më pak, me mungesë të ardhurash prej 8.1 milionë lekësh.
Sipas KLSH-së, mungesa e kontrolleve në terren, dokumentacioni i paplotë dhe mosbashkëpunimi institucional kanë sjellë mungesë të ardhurash prej 11.42 milionë lekësh nga 187 subjekte. Gjithashtu, janë konstatuar raste ku subjektet e kualifikuara nuk kishin struktura akomoduese, ishin të çregjistruara, nuk kishin aktivitet në territorin e Bashkisë Vlorë, ose subjekti përfitues nuk përputhej me subjektin e kualifikuar.
KLSH kërkon masa për arkëtim, inventarizim dhe përgjegjësi
Në rekomandimet e tij, KLSH i kërkon Bashkisë Vlorë një sërë masash konkrete që synojnë përmirësimin e planifikimit buxhetor, forcimin e administrimit të të ardhurave, ndjekjen ligjore të debitorëve dhe rritjen e kontrollit mbi asetet dhe kontratat publike. Për të ardhurat vendore, kërkohet ndjekja e të gjitha rrugëve administrative dhe ligjore për arkëtimin e 708.6 milionë lekëve detyrime debitore, si edhe e shumave të veçanta të paarkëtuara nga taksa e ndërtesës, hidrokarburet, tarifa e mbetjeve dhe detyrimet e UK Vlorë.
Në fushën e pasqyrave financiare, rekomandohet sistemimi kontabël i projekt-studimeve, transferimi i aktiveve të ujësjellësit te shoqëria rajonale dhe kryerja e procedurave të plota për hipotekimin e 179 objekteve të pasurive të paluajtshme. Për prokurimet, KLSH kërkon që të mos lidhen kontrata për investime pa leje ndërtimi apo oponencë teknike, të analizohen përgjegjësitë për kualifikimet e gabuara dhe skualifikimet e padrejta, si dhe të ndiqen në rrugë ligjore arkëtimet e dëmeve të konstatuara.
Në fushën e lejeve të ndërtimit, rekomandohet rishikimi i procedurave të shqyrtimit të aplikimeve në sistemin e-leje, evidentimi i përgjegjësive për rastet me shkelje dhe marrja e masave për arkëtimin e 44.85 milionë lekëve ndaj fondit publik për strehim social. Për IMT-në kërkohen masa për llogaritjen e saktë të gjobave, ndjekjen e procedurave për objektet pa leje, identifikimin e subjekteve dhe zbatimin e vendimeve për prishje.
Ndërsa për asetet publike dhe plazhet, KLSH rekomandon hartimin e një plani strategjik për inventarizimin dhe pajisjen me certifikatë pronësie të pronave të transferuara, regjistrimin e ekonomive pyjore, ngritjen e strukturës përgjegjëse për menaxhimin e stacioneve të plazhit dhe analizimin e dosjeve të subjekteve për të nxjerrë përgjegjësi dhe për të arkëtuar detyrimet e konstatuara.
Në tërësi, auditimi i KLSH-së për Bashkinë Vlorë evidenton jo vetëm një seri mangësish administrative dhe financiare, por edhe një nevojë të qartë për forcim të kontrollit të brendshëm, bashkërendim më të mirë ndërmjet drejtorive dhe zbatim më rigoroz të legjislacionit në fushat që kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi financat vendore, territorin dhe përdorimin e aseteve publike. /ekofin.al

